Prizreni pret takimin trepalësh të Avokatëve të Popullit të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Nga D. V.
610 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 23 qershor, Zhurnal.mk – Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës do të mbajë sot në Prizren takimin trepalësh të Avokatëve të Popullit të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, gjatë të cilit do të nënshkruhet edhe Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet tri institucioneve.

Aktiviteti do të nisë në orën 10:00 dhe do të përfshijë një sesion diskutimi të fokusuar në bashkëpunimin ndërinstitucional për trajtimin e çështjeve me interes të përbashkët.

Në kuadër të sesionit të parë, pjesëmarrësit do të diskutojnë për çështjet civile dhe familjare me element ndërkufitar, përfshirë martesat, regjistrimin civil, dokumentacionin personal, si dhe njohjen e akteve dhe vendimeve. Po ashtu, në fokus do të jenë roli i institucioneve të Avokatit të Popullit në mbrojtjen e të drejtës për shëndet, mbrojtja e fëmijëve në situatë rruge dhe kategorive të tjera të cenueshme, si dhe bashkëpunimi në trajtimin e rasteve individuale që përfshijnë më shumë se një shtet.

Temat e diskutimit do të përfshijnë edhe të drejtat e personave të privuar nga liria gjatë orëve të para të intervistimit, rolin e regjistrimit audio-viziv në garantimin e një procesi të rregullt ligjor, si dhe të drejtat dhe garancitë ligjore të shtetasve të huaj në vendet e privimit të lirisë dhe në proceset gjyqësore.

Pjesë e agjendës do të jetë edhe shqyrtimi i mundësive për ndërmarrjen e veprimeve, iniciativave dhe aktiviteteve të përbashkëta në nivel rajonal.

Pas përfundimit të diskutimeve, palët do të nënshkruajnë Memorandumin e Bashkëpunimit, i cili synon forcimin e koordinimit dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet institucioneve homologe në tri shtetet.

Në orën 12:30 do të mbahet deklarimi i përbashkët për media i Avokatit të Popullit të Kosovës, Naim Qelaj, Avokatit të Popullit të Shqipërisë, Endrit Shabani, dhe Avokatit të Popullit të Maqedonisë së Veriut, Faton Selami.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër