Rama: Kampusi i ri i universitetit të Durrësit qendër komunitare studentore në funksion 24 orë

Nga D. V.
694 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 23 qershor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në prezantimin e pesë projekteve finaliste të konkursit ndërkombëtar për kampusin e ri universitar të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, ku vlerësoi procesin si pjesë të vizionit për zhvillimin urban dhe arsimin e lartë në Shqipëri.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se konkurse të tilla ndërkombëtare janë shprehje e ambicies për transformimin e vendit dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim. Ai u ndal veçanërisht te bashkëpunimi mes arkitektëve ndërkombëtarë dhe profesionistëve shqiptarë, duke e cilësuar këtë nismë si “universitetin më të madh të hapur të zhvillimit urban në Evropë”.

Sipas Kryeministrit, përfshirja e studiove prestigjioze ndërkombëtare së bashku me arkitektët e rinj shqiptarë ka krijuar një hapësirë të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe rritjen profesionale.

“Jemi në një konkurs ndërkombëtar të radhës në vrazhdën e dhjetëra konkurseve të tilla të cilat janë shëmbëlltyrë e ambicies sonë për Shqipërinë dhe prej të cilave lindin mundësira të jashtëzakonshme për zhvillime që ndryshojmë, jo vetëm cilësinë e jetës së atyre që pastaj bëhen përdoruesit e asaj që ndërtohet, por ndryshojnë edhe mënyrën e të parit të vetës dhe së ardhmes së një komunitetit. Jemi shumë krenarë, meqë jemi këtu dhe në një universitet, dua të theksoj këtë se kemi krijuar universitetin më të madh në Evropë të hapur të zhvillimit urban, duke bërë bashkë një numër të jashtëzakonshëm arkitektësh dhe studiosh prestigjioze ndërkombëtare me studio lokale, me arkitektët dhe arkitektet e reja të Shqipërisë. Është një universitet i hapur, pasi u jep mundësinë të gjithë atyre që u janë përkushtuar arkitekturës dhe zhvillimit urban në vendin tonë që të ballafaqojnë dijet e tyre me bindjet dhe dijet e arkitektëve dhe studiove që janë në pararojë të zhvillimeve urbane në botë. U jep mundësi të rrite profesionalisht të mësojnë duke bërë punën dhe jo thjesht teorikisht, të shoqërojnë në gjithë procesin krijues dhe pastaj në procesin e zbatimit arkitektë dhe profesionistë të nivelit më të artë ndërkombëtar”, tha Rama.

Rama shprehu bindjen se në të ardhmen nga ky proces do të dalin emra shqiptarë që do të renditen mes arkitektëve më të njohur në botë.

Rama tha se se kampusi i ri i universitetit të Durrësit synon të shndërrohet në një qendër komunitare studentore që do të jetë aktive gjatë gjithë ditës, duke ofruar jo vetëm ambiente mësimore, por edhe hapësira për jetesë, socializim dhe aktivitete të ndryshme.

“Jam i bindur se nga ky universitet i hapur nuk do të presim shumë vite për të parë se ndër arkitektët e admiruar dhe të respektuar të botës do të ketë dhe emra vajzash dhe djemsh që sot janë pjesë e këtij universiteti të hapur. Do të kemi dhe ne yjet tona në qiellin e arkitekturës dhe zhvillimit urban botërore. Por deri atëherë dua të them se sot jemi në kushtet kur kemi gati zanafillën e një projekti shumë të madh dhe ambicioz për kampusin e ri universitar të Durrësit, për të investuar në një zhvillim që do të përmbyllë një proces të mbyllur shumë e shumë vite më parë dhe do të mundësojë që këtu në këtë territor të mos ketë thjesht studentë që vijnë për të marrë mësim dhe për t’u larguar, por të ketë një qendër komunitare studentore e cila të jetojë 24 orë”, tha ai.

Rama e lidhi këtë projekt edhe me kërkesat e ngritura gjatë protestës studentore të vitit 2018, duke kujtuar se një pjesë e reformave në arsimin e lartë dhe investimet në konvikte erdhën si rezultat i dialogut me studentët dhe zbatimit të Paktit për Universitetin.

Kreu i qeverisë pohoi se çështja e strehimit të studentëve mbetet aktuale, pasi kapacitetet e konvikteve nuk përmbushin të gjitha kërkesat dhe shumë studentë detyrohen të marrin banesa me qira, duke rënduar buxhetet familjare. Për këtë arsye, tha Rama, projekti i kampusit të ri parashikon edhe krijimin e një zone rezidenciale për studentët.

“Ky është një tjetër rezultat i protestës së studentëve të vitit 2018 ku ne dëgjuam me shumë vëmendje se çfarë kërkohej dhe ndamë gjithçka që nuk ishte lidhje me të ardhmen dhe mundësitë tona me atë që kishte realisht lidhje me të ardhmen dhe mundësitë tona dhe kështu mbi bazën e Paktit për Universitetin ndërtuam një proces i cili solli shumë risi pozitive për studentët, solli kushte shumë më të mira në konvikte, solli kushte të mira në universitete. Por jemi të vetëdijshme që sot ky proces duhet të shkojë një shkallë më tutje dhe siç do të shihni nga projektet ne duam t’i japim një drejtim dhe çështjes shumë të mprehtë të strehimit të studentëve gjatë periudhës së studimeve, pasi ju e dini më mirë se unë se jo të gjithë studentët qëndrojnë në konvikte, jo e gjithë infrastruktura e konvikteve ka kapacitetin të përballojë kërkesat dhe shumë studentë marrin apartamente me qira dhe kjo e rëndon buxhetin e familjeve të tyre.

Ndërkohë që krijimi i një zone rezidenciale për studentët bën të mundur që ata mund të kenë një strehim më të arsyeshëm, por nga ana tjetër të socializohen dhe që zhvillimi akademik të ecë paralel edhe më zhvillimin e tyre njerëzor dhe social”, tha Rama.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër