Vizitë studimore e delegacionit të Kuvendit të Malit të Zi në Shkup

Nga Xh M
2,162 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 qershor Zhurnal.mk – Sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbajtën një sërë takimesh pune midis anëtarëve të Grupit Parlamentar Ndërpartiak kundër Korrupsionit, Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit dhe Komisionit për Financim dhe Buxhet me delegacionin e Kuvendit të Malit të Zi, i cili ndodhet për vizitë studimore në vend.

Siç informuan nga shërbimi për shtyp i Kuvendit, në përbërje të delegacionit malazez ishin deputetët Jasmin Qoroviq dhe Jevrosima Pejoviq, si dhe përfaqësuesit e Shërbimit të Kuvendit të Malit të Zi, të cilët shkëmbyen përvoja dhe mendime me nikoqirët e tyre mbi praktikat parlamentare, me theks në mekanizmat për parandalimin e korrupsionit dhe avancimin e mbikëqyrjes parlamentare.

Në takimin me përfaqësuesit e Grupit Parlamentar Ndërpartiak kundër Korrupsionit, bashkëkryesuesja Sonja Mirakovska, bashkë me anëtarët Antonijo Milloshoski, Sllavjanka Petrovska dhe Fatmir Bytyqi, prezantuan aktivitetet dhe rolin e këtij trupi parlamentar joformal në Kuvend. Mirakovska vuri në dukje se grupi ka 51 anëtarë dhe vepron me dy bashkëkryesues, me qëllim sigurimin e mbështetjes së gjerë ndërpartiake në luftën kundër korrupsionit.

Përfaqësuesit e Kuvendit të Malit të Zi informuan se trupi i tyre përkatës parlamentar ka status formal, gjatë të cilit u hap diskutimi mbi përparësitë dhe sfidat e të dy modeleve të funksionimit, si dhe mbi mundësitë për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërparlamentar.

Në kuadër të vizitës studimore, u mbajt edhe takimi me anëtarët e Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit, në të cilin morën pjesë kryetari i Komisionit, Mile Lefkov, anëtarja Kaltrina Beqiri dhe deputeti Dragan Nedellkoviq. Takimi iu kushtua shkëmbimit të përvojave në fushën e procedurave parlamentare, zbatimit të Rregullores dhe forcimit të integritetit institucional.

Kryetari i Komisionit, Mile Lefkov, i njoftoi anëtarët e delegacionit me Kodin Etik të Deputetëve në Kuvend të miratuar së fundmi, duke arsyetuar parimet themelore, qëllimet dhe mënyrën e zbatimit të tij. Ai informoi se brenda 45 ditëve, Kuvendi do të krijojë një trup pune përgjegjës për monitorimin e zbatimit dhe respekimit të tij.

Përfaqësuesit e Kuvendit të Malit të Zi e përshëndetën miratimin e Kodit Etik, duke e vlerësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt avancimit të standardeve parlamentare, transparencës dhe integritetit të deputetëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër