GJERMANI – Mbi 800 vdekje për shkak të nxehtësisë

Nga D. V.
1,323 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Berlin, 02 korrik, Zhurnal.mk – Më shumë se 800 persona kanë humbur jetën për shkak të nxehtësisë në Gjermani gjatë këtij viti, pa përfshirë ditët më ekstreme të valës së të nxehtit, njoftoi sot “Instituti Robert Koch” (RKI), autoriteti gjerman për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve.

Sipas vlerësimeve, deri më 21 qershor rreth 500 persona të moshës 85 vjeç e lart, kanë vdekur si pasojë e temperaturave të larta.

Në grupmoshën 75–84 vjeç janë regjistruar rreth 190 raste, në atë 65–74 vjeç rreth 80 raste, ndërsa tek personat nën 65 vjeç, rreth 40 raste.

RKI thekson se zakonisht, gjatë javëve të verës me temperatura mesatare mbi 20°C, niveli i vdekshmërisë është ndjeshëm më i lartë, krahasuar me periudhat më të freskëta të sezonit.

Në raportin e tij javor mbi vdekshmërinë e lidhur me nxehtësinë, instituti njofton se temperatura mesatare ditore, gjatë javës 15–21 qershor ishte 21,1°C, mbi pragun ku zakonisht vërehet rritje e ndjeshme e vdekjeve të lidhura me vapën.

Vlerësimi aktual i RKI, mbulon periudhën 6 prill – 21 qershor. Vala ekstreme e të nxehtit në Gjermani, nisi në nivel kombëtar vetëm pas kësaj periudhe, ndërsa të dhënat e para për viktimat e saj pritet të publikohen javën e ardhshme.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër