Doganat zbulojnë skemë të madhe? Nikolovski: Presim të arkëtojmë miliona nga taksat e shmangura

Nga R.ZH
1,613 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 10 korrik, Zhurnal.mk – Drejtoria e Doganave është duke zhvilluar një hetim të gjerë lidhur me mallrat e akcizës, nga i cili pritet të zbulohen miliona euro taksa të shmangura. Këtë e bëri të ditur drejtori i Drejtorisë së Doganave, Boban Nikolovski, duke theksuar se institucioni ka mbështetje të plotë për të hetuar çdo rast dhe për të ndjekur përgjegjësit deri në fund.

Nikolovski deklaroi se bëhet fjalë për një rast për të cilin, sipas tij, deri më tani nuk ka pasur vullnet apo interes institucional për t’u hetuar.

“Po punojmë mbi diçka për të cilën askush në Doganë nuk është inkurajuar të punojë ose nuk ka pasur interes të merret me një rast të tillë. Si pjesë e aparatit shtetëror të udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski, kemi dorë të lirë për të punuar mbi gjithçka. Kur ta përfundojmë rastin, presim të arkëtojmë miliona nga taksat e shmangura. Shpresoj që, në bashkëpunim me Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, të arrijmë jo vetëm te autorët, por edhe te klientët”, deklaroi Nikolovski.

Ai bëri të ditur se rezultatet e punës së Sektorit të Kontrollit dhe Hetimeve janë rritur gjatë këtij viti. Sipas tij, vetëm deri në muajin qershor, Departamenti i Hetimeve ka ngritur gjithsej 91 kallëzime penale, të cilat lidhen me raste të zbuluara gjatë kontrolleve dhe hetimeve doganore.

Drejtori i Doganave nuk dha detaje shtesë për hetimin në zhvillim, duke theksuar se informacionet do të bëhen publike pasi procedura të përfundojë. Ai nënvizoi se institucioni mbetet i përkushtuar në luftën kundër evazionit fiskal, kontrabandës dhe të gjitha formave të kriminalitetit ekonomik.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër