Shkup, 12 korrik Zhurnal.mk – Vetëm tre ditë kanë mbetur deri në skadimin e afatit për përmbushjen e pikës së dhjetë të Agjendës Reformuese, e cila parasheh miratimin e Kodit të ri Zgjedhor. Megjithatë, procesi mbetet i bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve politike mes pushtetit dhe opozitës.
VMRO-DPMNE akuzoi opozitën, të udhëhequr nga LSDM-ja, Levica dhe BDI-ja, se ka bllokuar procesin për miratimin e Kodit të ri Zgjedhor dhe se nuk po angazhohet për rregulla më të mira zgjedhore, por që ligji të mos miratohet fare. Zëdhënësi i partisë, Valentin Manasievski, deklaroi se pas një periudhe të gjatë kishte ekzistuar një mundësi reale që Kodi i ri Zgjedhor të miratohej me një konsensus të gjerë politik. Sipas tij, për muaj me radhë të gjitha partitë politike kanë marrë pjesë në bisedime, duke harmonizuar tekstet, pranuar propozime dhe kërkuar një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët.
“Në vend që Maqedonia të tregonte pjekuri politike dhe të dërgonte mesazhin se ligjet më të rëndësishme mund të miratohen përmes marrëveshjes, opozita zgjodhi përballjen dhe kalkulimet e politikës ditore. VMRO-DPMNE mbetet edhe më tej në qëndrimin se opozita duhet të ulet dhe të dakordohet për atë që kërkon, ndërsa ne do ta pranojmë menjëherë një marrëveshje të tillë, me qëllim që të lehtësohet procesi i votimit të diasporës.”
Manasievski tha se në momentin kur marrëveshja duhej të finalizohej, LSDM-ja, Levica dhe BDI-ja u tërhoqën nga procesi dhe bllokuan përfundimin e tij. Nga VMRO-DPMNE vlerësuan se përgjegjësia për mosmiratimin e Kodit të ri Zgjedhor dhe për mundësinë që zgjedhjet e ardhshme të mbahen sipas ligjit aktual bie ekskluzivisht mbi opozitën. Ndërkohë, qëndrimi i LSDM-së është se ata nuk janë kundër reformave zgjedhore por se duan që të parandalojnë krijimin e mekanizamave për manipulime zgjedhore. Kujtojmë se partitë opozitare, LSDM dhe Levica, e kanë bllokuar miratimin e Kodit Zgjedhor me mijëra amendamente. Nëse ndryshimet nuk miratohen brenda afatit, vendi rrezikon të humbasë 4 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian, të parapara në kuadër të Agjendës Reformuese.
