Vala e tretë e të nxehtit godet Italinë, temperaturat pritet të arrijnë deri në 43 gradë

Nga L. M
605 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Italia po përballet me valën e tretë të të nxehtit këtë fillim vere, me temperatura që pritet të jenë 7-8 gradë mbi mesataren dhe të arrijnë deri në 43 gradë Celsius.

Kulmi i temperaturave pritet të jetë mes të mërkurës dhe të enjtes, ndërsa autoritetet kanë vendosur disa qytete në alarm të kuq dhe portokalli për rrezik shëndetësor.

Sipas Ministrisë italiane të Shëndetësisë, Firence dhe Perugia janë ndër qytetet me nivelin më të lartë të alarmit, ndërsa më pas pritet t’u bashkohen edhe Bolonja, Brescia, Frosinone, Roma dhe Torino.

Pse po ndodhin temperaturat ekstreme?

Ekspertët e lidhin rritjen e valëve të të nxehtit me ndryshimet klimatike dhe rritjen e përqendrimit të gazrave serrë në atmosferë. Djegia e qymyrit, naftës dhe gazit natyror ka ndikuar në rritjen e temperaturave globale dhe në shtimin e fenomeneve ekstreme të motit.

Një tjetër faktor është qëndrueshmëria e anticiklonit afrikan, i cili sjell masa ajrore shumë të nxehta drejt Evropës. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se Evropa është një nga kontinentet që po ngrohet më shpejt, pas Arktikut.

Këshillat për të përballuar vapën

Mjekët rekomandojnë konsumimin e mjaftueshëm të ujit dhe ushqimeve të pasura me fruta e perime, veçanërisht shalqi, pjepër, kastravec, domate dhe fruta të stinës.

Duhet të shmangen pijet me sheqer, alkooli dhe konsumimi i tepërt i kafesë, pasi favorizojnë dehidratimin.

Personat me probleme shëndetësore, veçanërisht ata që marrin ilaçe për tensionin e gjakut, duhet të tregojnë kujdes të shtuar dhe të konsultohen me mjekun për çdo ndryshim të mundshëm në trajtim.

Ekspertët këshillojnë gjithashtu që kondicioneri të përdoret në temperatura rreth 25-27 gradë Celsius, ndërsa ventilatorët të mos drejtohen drejtpërdrejt mbi trup për të shmangur dehidratimin.

Kujdes edhe për kafshët

Qentë dhe macet janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj temperaturave të larta. Këshillohet që të shmangen shëtitjet në orët e nxehta të ditës, të kenë gjithmonë ujë të freskët dhe të mos lihen kurrë në automjete të mbyllura.

Autoritetet italiane vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa qytetarëve u kërkohet kujdes i veçantë gjatë ditëve me fdekstreme.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër