Gjini: Partneriteti me Izraelin ka rëndësi strategjike për Kosovën

Nga R.ZH
1,046 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 13 korrik, Zhurnal.mk – Kryetari i Aleancës Ardian Gjini, ka pritur në zyrat e Aleancës ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamara Ziv, me të cilën ka zhvilluar një takim kushtuar zhvillimeve aktuale dhe mundësive për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.

Përmes një njoftimi, Gjini ka bërë të ditur se takimi është zhvilluar në frymë të ngrohtë dhe miqësore, duke theksuar rëndësinë e raporteve bilaterale mes dy vendeve.

“Patëm kënaqësinë të mirëpresim në zyrat e Aleancës Ambasadoren e Izraelit në Kosovë, znj. Tamara Ziv. Zhvilluam një bashkëbisedim të ngrohtë dhe miqësor për zhvillimet aktuale në vend, si dhe për mundësitë e intensifikimit të mëtejmë të raporteve tona bilaterale”, ka shkruar Gjini.

Ai ka vlerësuar se marrëdhëniet me Izraelin kanë rëndësi të veçantë për Kosovën, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme në drejtim të forcimit të këtij partneriteti.

“Marrëdhëniet me shtetin e Izraelit janë të një rëndësie të veçantë e strategjike për ne. Jemi falënderues për mbështetjen e vazhdueshme dhe të përkushtuar për të thelluar këtë partneritet në fusha me interes të përbashkët”, ka deklaruar kryetari i AAK-së.

Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike në vitin 2021, ndërsa që atëherë të dyja vendet kanë shprehur interes për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë ekonominë, sigurinë, teknologjinë dhe arsimin.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër