Policia shpëton nëntë turistë të huaj në Himarë dhe Ksamil

Nga Xh M
2,176 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Ksamil, 13 korrik Zhurnal.mk – Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare e Shqipërisë u erdhën në ndihmë 9 turistëve të huaj, në dy raste të ndryshme në Himarë dhe Ksamil, duke shmangur pasoja për jetën e tyre.

Reagimi i menjëhershëm dhe profesional i shërbimeve të Policisë Kufitare bëri të mundur shpëtimin e 9 turistëve të huaj, në dy raste të ndryshme të ndodhura gjatë ditës së sotme, në Himarë dhe Ksamil.

Në Himarë, pas njoftimit të marrë nga një shtetase spanjolle se i fejuari i saj, shtetasi spanjoll A. G., kishte mbetur në vështirësi në det, në zonën e Filikurit, pasi kajaku me të cilin po lundronte ishte fundosur, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan menjëherë operacionin e kërkim-shpëtimit.

Brenda një kohe të shkurtër u bë i mundur lokalizimi i tij, nxjerrja nga uji dhe transportimi në mënyrë të sigurt pranë Pikës së Kontrollit Kufitar Himarë, duke shmangur pasoja për jetën.

Në Ksamil, rreth orës 12:45, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë për t’u ardhur në ndihmë 8 turistëve brazilianë, pjesëtarë të së njëjtës familje, pasi mjeti i tyre lundrues, tip skaf plastik, rrezikonte të fundosej në zonën prapa vendit të quajtur “Tre Ishujt”.

Falë ndërhyrjes së shpejtë me gomone dhe jet ski, të gjithë turistët u shpëtuan, ndërsa mjeti lundrues u rimorkua në mënyrë të sigurt drejt plazhit “Puerto Rico”, në Ksamil.

Të dyja ndërhyrjet u përmbyllën me sukses, pa pasoja për jetën apo shëndetin e turistëve, të cilët shprehën mirënjohjen dhe falënderimet e tyre për profesionalizmin, gatishmërinë dhe reagimin në kohë të shërbimeve të Policisë Kufitare.

Policia Kufitare apelon për respektimin e rregullave të lundrimit, përdorimin e mjeteve të sigurisë, si dhe shmangien e lundrimit në zona që paraqesin rrezik.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër