Lirohet Nikolla Gruevski në rastin “Talir 2”, gjykata rrëzon akuzat për ndërtimin e paligjshëm të selisë së VMRO-DPMNE-së

Nga I.A
1,346 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 14 korrik, Zhurnal.mk – Gjykatësja Daniela Aleksovska-Stojanovska ka shpallur aktgjykim lirues në rigjykimin e rastit “Talir 2”, që kishte të bënte me ndërtimin e paligjshëm të selisë së VMRO-DPMNE-së.

illimisht, ndryshimet në Kodin Penal të miratuara nga LSDM shpëtuan pjesërisht ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, si dhe Kiril Bozhinovskin, të cilët në gjykimin e parë ishin dënuar përkatësisht me gjashtë vjet burg dhe me dënim me kusht. Ndryshimet ligjore çuan në lirimin e plotë të Bozhinovskit.

Procesi gjyqësor vazhdoi vetëm ndaj Gruevskit, i cili që nga viti 2018 ndodhet në arrati në Budapest të Hungarisë.

Gjykatësja theksoi se, megjithëse ndryshimet në Kodin Penal dukeshin të vogla, ato ndikuan në mënyrë thelbësore në përbërjen e veprës penale.

Sipas saj, përfaqësuesit e Prokurorisë, fillimisht prokurorja Lençe Ristoska dhe më pas pasardhësi i saj Kristijan Smilevski, nuk e përshtatën aktakuzën me ndryshimet ligjore, por mbetën te të njëjtat fakte dhe prova që ishin përdorur në gjykimin e parë. Për këtë arsye, gjykata vlerësoi se akuza nuk arriti ta provojë fajësinë e të akuzuarve.

Gjykimi për këtë rast kishte nisur në vitin 2019 dhe lënda pritet të vjetërohet muajin e ardhshëm.

Në gjykimin e parë, Gruevski dhe Bozhinovski akuzoheshin për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare. Në vitin 2022, Gruevski u dënua me gjashtë vjet burg, ndërsa Bozhinovski me dënim me kusht.
Në atë kohë ishte konfiskuar edhe objekti i njohur si “Pallati i Bardhë”, për të cilin Prokuroria pretendonte se ishte ndërtuar në mënyrë të paligjshme. Sipas aktakuzës, kompania “Beton”, e cila kishte fituar tenderë shtetërorë gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së, ndërtoi pa pagesë selinë tetëkatëshe të partisë në këmbim të së drejtës për të zhvilluar një projekt hotelierik në një parcelë të partisë në qendër të Shkupit.

Ky veprim u konsiderua si donacion i paligjshëm nga një kompani që përfitonte tenderë shtetërorë.

Në vitin 2023, Gjykata e Apelit e shfuqizoi aktgjykimin e parë dhe e ktheu lëndën në rigjykim.
Ndërkohë, ndryshimet në Kodin Penal bënë që vepra për të cilën akuzohej Kiril Bozhinovski të parashkruhej, duke e nxjerrë atë nga procedura, ndërsa në proces mbetën vetëm Nikolla Gruevski dhe VMRO-DPMNE-ja si palë e prekur.
Gjykatësja që shqyrtoi këtë rast kishte qenë më parë objekt i kritikave dhe sulmeve të vazhdueshme nga VMRO-DPMNE. Rasti fillimisht udhëhiqej nga prokurorja Lençe Ristoska, e cila disa muaj më parë u largua nga lënda, ashtu si edhe nga rasti “Talir 1”, përpara se të jepte dorëheqje nga funksioni i prokurores.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër