Shkup, 14 korrik, Zhurnal.mk – Fatmir Limani, ka dorëzuar detyrën pas rikonstruimit të Qeverisë, duke thënë se largohet nga posti me ndërgjegje të pastër dhe krenari për punën e realizuar gjatë mandatit.
Ai ka thënë se çdo mandat është pjesë e vazhdimësisë institucionale dhe përbën një hallkë në zinxhirin që duhet të vazhdojë, gjithmonë në interes të qytetarëve dhe të shtetit.
“Funksionet publike janë të përkohshme, por shërbimi ndaj shtetit dhe qytetarëve përfaqëson një detyrim dhe vlerë të përhershme që nuk varet nga mandati.
Prandaj, sot këtë detyrë e dorëzoj me qetësi, me ndërgjegje të pastër dhe me ndjenjë krenarie për gjithçka që kemi arritur së bashku.
Çdo mandat është pjesë e vazhdimësisë institucionale dhe përbën një hallkë në zinxhirin që duhet të vazhdojë, gjithmonë në interes të qytetarëve dhe të shtetit.
Gjatë kësaj periudhe pata nderin dhe privilegjin të punoj me një ekip të jashtëzakonshëm. Kabineti im, administrata, bashkëpunëtorët dhe të gjithë të punësuarit në Ministri dëshmuan profesionalizëm të lartë, përkushtim dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie”, ka deklaruar Limani.
Ai ka theksuar se gjatë mandatit janë realizuar reforma dhe projekte në fusha të ndryshme, përfshirë mundësitë e reja për punësim, avancimin e të drejtave të të punësuarve në sistemin e mbrojtjes sociale, investimet në kapacitetet për kujdesin ndaj fëmijëve dhe reforma në sistemin pensional.
Limani ka falënderuar ekipin me të cilin ka punuar, ndërsa detyrën ia ka dorëzuar ministrit të ri, Gjoko Velkovski, për të cilin tha se pret që proceset e nisura të vazhdojnë me seriozitet dhe përgjegjësi.
“Puna jonë e deritanishme, përvoja, përgjegjësia dhe përkushtimi i tij më japin besimin se proceset e nisura do të vazhdojnë me të njëjtin seriozitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi institucionale”, ka shkruar Limani.
Ai shtoi se largimi nga detyra nuk nënkupton përfundimin e angazhimit të tij ndaj qytetarëve dhe interesit publik.
“Mandatet vijnë e shkojnë, por vlerat e shërbimit publik, përgjegjësia, përkushtimi dhe puna me ndershmëri duhet të mbeten të përhershme”, ka përfunduar Limani.
