KE për rastin e Iva Mihaillovës: Brukseli nuk ndërhyn në çështjet dypalëshe

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup/Bruksel, 16 tetor – Komisioni Evropian është deklaruar lidhur me rastin “Iva Mihailova”, duke theksuar se ndihma konsullore është kryesisht në kompetencë të autoriteteve kombëtare dhe se institucioni nuk ndërhyn në çështjet dypalëshe.

Nga Komisioni Evropian, për televizionin “TV24”, kanë bërë të ditur se çështjet që lidhen me ndihmën konsullore trajtohen kryesisht nga autoritetet përkatëse kombëtare.

“Komisioni nuk ndërhyn në çështjet dypalëshe, dhe ndihma konsullore kryesisht bie në kompetencë të autoriteteve kombëtare”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian.

Brukselit i janë drejtuar disa pyetje lidhur me rastin, përfshirë nëse Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut e ka informuar Komisionin Evropian për zhvillimet, nëse reagimet e autoriteteve bullgare janë në përputhje me detyrimet e Bullgarisë si shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe nëse Komisioni do të kërkojë sqarime shtesë për rastin Mihailova.

Megjithatë, përgjigjja e dhënë për “TV24” nuk sqaron nëse Komisioni ka marrë informacion zyrtar për rastin apo nëse planifikon të ndërmarrë hapa të mëtejshëm.

Shkupi kërkon arrestimin, Sofja refuzon ekstradimin

Rasti ka tërhequr vëmendje për shkak të qëndrimeve të kundërta të autoriteteve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Shkupi kërkon arrestimin e Mihailovës përmes një urdhërarresti ndërkombëtar, ndërsa Sofja refuzon ekstradimin e saj, duke u thirrur në Konventën Evropiane dhe në mungesën e një marrëveshjeje të ratifikuar.

Sipas informacioneve të publikuara, Mihailova u largua nga Maqedonia e Veriut vetëm pak ditë pas takimit kokë më kokë ndërmjet ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunskit, dhe homologes së tij bullgare, Petrova-Çamova.

Deri më tani, qëndrimi i Komisionit Evropian mbetet se çështjet dypalëshe nuk janë objekt i ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të këtij institucioni.

Nga Berlini, Sofja flet për vlerat evropiane

Ndërkohë, nga Berlini, ministrja e Jashtme bullgare Petrova-Çamova përcolli mesazh për rëndësinë e vlerave evropiane.

Gjatë takimit me homologun e saj gjerman, Johann Wadephul, ajo theksoi se respektimi i të drejtave themelore dhe mosdiskriminimi janë vlera kyçe të Bashkimit Evropian.

Deklarata vjen në një kohë kur rasti “Iva Mihailova” ka hapur diskutime për qëndrimin e autoriteteve bullgare dhe mënyrën se si trajtohen çështjet që përfshijnë Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.

Përgjigjja e Komisionit Evropian, nga ana tjetër, nuk paraqet një vlerësim të drejtpërdrejtë nëse veprimet e Sofjes në këtë rast janë në përputhje me detyrimet e saj si shtet anëtar i BE-së.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër