Shkup, 15 tetor Zhurnal.mk – Kryeministri i vendit Hristijan Mickoski në emisionin Click Plus në TV21 deklaroi se do të mbrojë pakushtimisht interesat e të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie, feje apo përkatësie politike, duke theksuar se mbështet anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, kryeministri nënvizoi se integrimi evropian nuk duhet të bëhet “me çdo çmim”, duke kundërshtuar koncesionet e pafundme pa një përfundim të qartë.
“Nuk do të hyj kurrë në këtë proces pa mbrojtur pakushtimisht interesat e qytetarëve të mi. Unë jam kryeministër i të gjithë qytetarëve. Këtu nuk pranoj dallime bazuar në etni apo fe, apo në përkatësi partiake apo jo partiake Unë jam kryeministër, kryetar i Qeverisë për të gjithë qytetarët. Në këtë mënyrë, unë po mbroj interesat e të gjithë qytetarëve, ku shumica është në favor të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të cilës i përkas edhe unë. Por, gjithashtu e mbroj interesin e asaj shumice qytetarësh që, për pyetjen e dytë pas të parës, përgjigjen – ‘jo me çdo çmim’ dhe jo me koncesione të pafundme shtesë. pa një përfundim të qartë”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në Click Plus në TV21.
