Komanda e Brigadës së Evropës Juglindore e përfundoi misionin në Maqedoninë e Veriut

Nga I.A
1,304 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 korrik, Zhurnal.mk – Komanda e Brigadës së Evropës Juglindore (SEEBRIG) e përfundoi misionin gjashtëvjeçar në Maqedoninë e Veriut dhe, sipas parimit të rotacionit, veprimtarinë do ta vazhdojë në Stamboll, Turqi.

Sot, në kazermën “Boro Menkov” në Kumanovë, u mbajt ceremonia solemne, ku ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, tha se gjatë këtyre gjashtë viteve vendi dëshmoi se kontribuon me sukses në paqen dhe sigurinë rajonale e ndërkombëtare, duke treguar se është partner kredibil, i besueshëm dhe aktiv.

Misajllovski theksoi se prania e Komandës në Kumanovë gjatë gjashtë viteve të fundit ka kontribuar në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me vendet pjesëmarrëse.

“SEEBRIG është një nga shembujt më të suksesshëm të bashkëpunimit rajonal në mbrojtje, i ndërtuar mbi vlerat që ndajmë të gjithë: besimin e ndërsjellë, partneritetin, solidaritetin dhe përgjegjësinë e përbashkët për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e Evropës Juglindore”, tha Misajllovski.

Në ceremoni morën pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneralmajor Sashko Lafçiski, përfaqësues të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Ministrave të Mbrojtjes të Evropës Juglindore (SEDM), përfaqësues të korit ushtarako-diplomatik, të Armatës dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe mysafirë të tjerë të lartë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër