Levica: Nuk heqim dorë nga një njësi zgjedhore

Nga D. V.
976 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 korrik, Zhurnal.mk – Levica thotë se VMRO‑DPMNE kot përpiqet ta shndërrojë fajin e vet në propagandë kundër Levicës. Sipas partisë, pushteti nuk ishte vëzhgues i pafuqishëm i procesit, por organizator i tij, propozues dhe mbajtës i shumicës parlamentare. Prandaj, nëse VMRO‑DPMNE kërkon fajtor për mosmiratimin e Kodit Zgjedhor, “duhet së pari të shikojë në radhët e veta, në mospërputhjet e veta dhe në kushtet që i vendosi qëllimisht në momentin e fundit për ta minuar procesin”.
Sipas Levicës, pushteti që dëshiron të realizojë agjendë reformiste nuk vendos “vija të kuqe të papranueshme dhe shantazhuese në minutën e fundit”, por ndërton konsensus dhe heq pengesat.

Levica shton: “VMRO‑DPMNE jo vetëm që nuk i hoqi pengesat, por i prodhoi. Pasi me muaj të tërë e shmangu thelbin, në vetë fundin futi një çështje që nuk ishte pjesë e punës së Grupit të Punës dhe e shpalli si vijë të pakalueshme. Kjo është një diversion e tempiruar – së pari krijohet një kusht që të tjerët nuk mund ta pranojnë, pastaj lihet afati të skadojë, e në fund kumtesa e përgatitur paraprakisht e shpall Levicën fajtore.”

Sipas Levicës, VMRO‑DPMNE nuk dëshironte Kod Zgjedhor që demokratizon sistemin, por dokument që ruan “komfortin e tyre zgjedhor”. Në momentin kur u bë e qartë se një njësi zgjedhore dhe kushtet e barabarta do ta forconin Levicën, “agjenda evropiane u hodh nën tavolinë, ndërsa me SDSM u zgjodh aranzhmani më i sigurt – më mirë shteti të mbetet me obligime të paplotësuara sesa të rrezikohet monopoli i tyre i përbashkët”.

Levica thekson se partitë që janë të sigurta në mbështetjen e popullit “nuk ikin nga një njësi zgjedhore, nuk kërkojnë shpëtim në manipulime zgjedhore dhe nuk sigurojnë avantazh milionësh nga buxheti për reklamim politik”. Sipas tyre, nga rregullat e barabarta frikësohen vetëm ata që e dinë se pesha e tyre reale politike është më e vogël se fuqia që ua dhuron sistemi.

Në fund, Levica thotë: “VMRO‑DPMNE mund të prodhojë kumtesa, të shpikë koalicione dhe të shpallë çdo kritikë si sulm ndaj shtetit, por nuk mund ta fshehë rezultatin se ata e lanë afatin të skadojë, futën kushtin shantazhues në momentin e fundit dhe e sakrifikuan reformën për ta ruajtur monopolin zgjedhor. Agjenda reformiste nuk është e paplotësuar për shkak të Levicës, por sepse VMRO‑DPMNE e vendosi kalkulimin partiak mbi interesin publik.”

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër