Shkup, 28 tetor, Zhurnal.mk – Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, në konferencën e sotme për media prezantoi pesë modulet e nismës “Kthesa e gjelbër përmes digjitalizimit”, të orientuara drejt transparencës më të madhe, procedurave administrative më efikase dhe menaxhimit më të mirë të të dhënave dhe proceseve që lidhen me mjedisin jetësor.
“Për ne, digjitalizimi nuk është vetëm softuer. Ai është një mjet politik për drejtësi. Ai është transparencë e plotë. Aty ku ka sistem digjital, nuk ka vend për fshehje. Aty përfundon joefikasiteti i sistemit”, theksoi Hoxha.
Moduli i parë, “THEMELET”, do t’u mundësojë qytetarëve, mediave dhe organizatave të shoqërisë civile të kenë qasje në projektet që realizon Ministria, vlerën e tyre, afatet, lokacionet dhe burimet e financimit.
Moduli “BËRTHAMA” përfshin digjitalizimin e arkivit dhe të sistemit hapësinor-informativ. Arkivi digjital do të mundësojë ndjekjen elektronike të lëndëve, qasje në statusin e tyre dhe informacione për nëpunësin përgjegjës për trajtimin e tyre. Ky proces realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Transformimit Digjital. Digjitalizimi i sistemit hapësinor-informativ tashmë ka përfunduar dhe mundëson menaxhim më të mirë të të dhënave gjeohapësinore për zonat e mbrojtura, si dhe transparencë më të madhe në procedurat që lidhen me to.
Përmes modulit “KOHA”, Ministria merr pjesë në reformat për thjeshtimin e procedurave administrative. Qëllimi është që qytetarët të lirohen nga procedurat e ndërlikuara. Nga rreth 30 hapa për thjeshtimin e procedurave që lidhen me Ministrinë, 15 janë paraparë në fazën e parë, e cila duhet të përfundojë deri në fund të vitit.
Moduli “TOKA” parasheh hartëzimin digjital të deponive ilegale në komuna, me qëllim planifikimin më të lehtë të mjeteve dhe resurseve për pastrimin e tyre, si dhe përgatitjen për krijimin e qendrave rajonale për menaxhimin e mbeturinave. Funksionaliteti i platformës do të jetë objekt konsultimi me organizatat e shoqërisë civile, BNJVL-në dhe publikun profesional, ndërsa realizimi i saj është paraparë në buxhetin për vitin 2027. Paralelisht, në disa komuna po zbatohet një projekt-pilot për mbikëqyrjen me video të deponive ilegale.
Moduli i pestë, “AJRI”, parasheh krijimin e një regjistri digjital në të cilin 140 posedues të lejeve ekologjike të integruara të tipit A do të publikojnë të dhënat për emetimet në përputhje me kushtet e lejeve të lëshuara. Regjistri lidhet me Ligjin për Kontrollin e Emetimeve në Ajër, i cili hyn në fuqi në shtator të vitit 2027.
Në periudhën e ardhshme, Ministria do t’i prezantojë modulet veçmas, me informacione të detajuara për funksionalitetin e tyre dhe përfitimet për qytetarët.
“Kjo nuk është vetëm digjitalizim. Ky është një sistem i ri vlerash. Kjo është kthesa jonë e gjelbër”, porositi Hoxha.
