Shkup, 20 korrik, Zhurnal.mk – VMRO‑DPMNE reagoi ndaj akuzave të LSDM‑së lidhur me rastin e ujit të ndotur dhe shpalljen e epidemisë në Gostivar, duke vlerësuar se opozita po e keqpërdor situatën për përfitime ditore politike.
Sipas partisë, LSDM dhe lideri i saj, Venko Filipçe, nuk e kanë prioritet mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, por përfitimin politik nga gjendja aktuale.
“LSDM me komunikata të dëshpëruara po përpiqet ta shfrytëzojë situatën në Gostivar për poena politikë, në vend që të lejojë institucionet të kryejnë punën, të deklarohen dhe të përcaktojnë faktet”, thuhet në reagimin e VMRO‑DPMNE‑së.
Partia thekson se institucionet kompetente tashmë po veprojnë në kuadër të autorizimeve ligjore dhe se çdo përgjegjësi eventuale duhet të përcaktohet mbi bazë provash, e jo përmes paraqitjeve politike.
“Në rastin e Gostivarit, institucionet kompetente po veprojnë sipas autorizimeve ligjore dhe çdo përgjegjësi eventuale do të përcaktohet nga organet kompetente mbi bazë provash, jo mbi bazë të konferencave politike për shtyp”, thuhet në komunikatë.
VMRO‑DPMNE kujton se vetëqeverisja lokale ka kompetenca të qarta në fushën e furnizimit me ujë dhe shërbimeve komunale, duke shtuar se nëse konstatohet neglizhencë, duhet të ketë përgjegjësi pavarësisht përkatësisë politike.
Partia gjithashtu pretendon se LSDM dhe Venko Filipçe më herët kanë kërkuar mbështetje për udhëheqjen aktuale të Komunës së Gostivarit, e cila — sipas VMRO‑DPMNE — përbëhet nga koalicioni BDI – LSDM – Taravari.
“Përpjekjet për të hedhur fajin pa përfunduar hetimi përbëjnë politizim të papërgjegjshëm të rastit nga LSDM”, thuhet në reagim.
VMRO‑DPMNE shton se mbetet në qëndrimin se çdo person që ka përgjegjësi ligjore ose funksionale duhet të mbajë pasoja, por vetëm nëse kjo përcaktohet nga institucionet kompetente.
Reagimi vjen pasi LSDM më herët e akuzoi Qeverinë për, siç u tha, “mungesë institucionale” dhe kërkoi përgjegjësi politike për ngjarjet e lidhura me ujin e ndotur në Gostivar.
