Shkup, 22 korrik, Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për çështje evropiane, Bekim Sali, mori pjesë në seancën e Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, ku prezantoi qëndrimet e Qeverisë lidhur me Raportin e Komisionit Evropian për sundimin e ligjit për vitin 2026 dhe zbatimin e Agjendës së Reformave.
Në fjalën e tij, Sali theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet prioriteti më i lartë strategjik i shtetit dhe se reformat në sundimin e ligjit duhet të shoqërohen me rezultate konkrete dhe të matshme. Ai nënvizoi se Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë ndër vendet më të suksesshme në zbatimin e Agjendës së Reformave, duke rikujtuar se përmes Planit të Rritjes deri më tani janë siguruar 142,1 milionë euro, ndërsa së fundmi është dorëzuar edhe kërkesa e katërt për pagesë, me 22 hapa reformues të realizuar.
Sali u bëri thirrje të gjithë deputetëve të japin mbështetje konstruktive për ligjet reformuese, duke theksuar se dallimet politike nuk duhet ta pengojnë rrugën evropiane dhe përfitimet që qytetarët i presin nga reformat.
