Gjorgjievski: Komunat do të formojnë komisione për raportimin e dëmeve nga moti i keq

Nga D. V.
647 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 korrik, Zhurnal.mk – Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se sot ka mbajtur takim koordinues me kryetarët e komunave të Shkupit dhe me Shtabin e Krizave të Qytetit të Shkupit, ku janë shqyrtuar dëmet dhe pasojat nga moti i rëndë që dje goditi kryeqytetin.

Sipas Gjorgjievskit, komunat e Shkupit do të formojnë komisione para të cilave qytetarët do të mund t’i raportojnë dëmet e shkaktuara nga moti i keq. Në koordinim me Qytetin e Shkupit do të kryhet vlerësim profesional i dëmeve të raportuara, pas së cilës, në përputhje me rregullativën ligjore dhe mundësitë e disponueshme, do të nisë procedura për mbështetjen e qytetarëve në sanimin e objekteve të banimit të dëmtuara.

Ai paralajmëroi se me kryetarët e komunave është arritur marrëveshje që inspektorët komunalë të ndërtimit, inspektorët e banimit dhe shërbimet e tjera kompetente të kryejnë kontrolle të shtuara dhe të rrepta në të gjitha objektet ku moti i keq ka shkaktuar dëme në konstruksionet e çative.

“Do të kontrollohen të gjitha objektet me çati të dëmtuara për të konstatuar arsyet e dëmeve të shkaktuara, duke pasur parasysh se mirëmbajtja e tyre është obligim i këshillave të banorëve”, theksoi Gjorgjievski.

Ai nënvizoi se të gjitha kapacitetet e disponueshme janë vënë në funksion për t’u përballur me pasojat e motit të keq dhe kujtoi se Qyteti i Shkupit disponon edhe me fond solidariteti, në të cilin janë siguruar mjete për kompensimin e qytetarëve në situata të tilla.

Gjorgjievski u shprehu mirënjohje ekipeve të ndërmarrjeve publike dhe Brigadës së Zjarrfikësve për reagimin e shpejtë pas motit të keq, duke theksuar se pastrimi i terrenit do të vazhdojë derisa pasojat të sanohen plotësisht dhe të sigurohet siguria e qytetarëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër