Shkup, 24 korrik, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, ia atribuoi fajin qeverive të mëparshme “para 15, 20, e madje edhe më shumë viteve”, të cilat, sipas tij, kanë bërë gabim që shteti RMV nuk është palë në lëndët e lidhura me OMO “Ilinden” – Pirin, organizatë e pakicës maqedonase në Bullgari.
Mucunski theksoi se çështjet e të drejtave të njeriut, veçanërisht “mosrespektimi i të drejtave të njeriut të maqedonasve që jetojnë në territorin e Bullgarisë”, janë tema që ne i aktivizojmë vazhdimisht në Këshillin e Evropës. Ai nënvizoi se si institucion shtetëror, Maqedonia e Veriut është aktive në gjithçka që lidhet me zbatimin e aktgjykimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Ne jemi një vend mjaft aktiv në disa lëndë, ndër të tjera edhe në lëndët e lidhura me OMO ‘Ilinden’ – Pirin dhe me organizata të tjera joqeveritare në territorin e Bullgarisë. Fatkeqësisht, për shkak të një gabimi shumëvjeçar para 15, 20, e më shumë viteve, ne nuk jemi palë në ato procedura, edhe pse kemi mundur të jemi, por ajo ka qenë një vendim i gabuar i marrë në atë periudhë. Megjithatë, si vend anëtar i kësaj organizate, kemi të drejtë të japim kontributin tonë dhe pikëpamjet tona, dhe këtë e bëjmë në mënyrë aktive në Komitetin e Ministrave, ku insistojmë në zbatimin e plotë dhe tërësor të aktgjykimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sepse këtë e konsiderojmë si një arritje të rëndësishme civilizuese në Evropën e sotme”, deklaroi Mucunski në konferencën e sotme për media.
Maqedonia e Veriut do të marrë kryesimin e Këshillit të Evropës në vitin 2028, dhe periudha prej një viti e gjysmë do të shfrytëzohet për përgatitjet përkatëse.
