Mickoski e përmbylli rekonstruksionin, Zejnula u zgjodh ministër i ri pa portofol

Nga D. V.
802 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 korrik, Zhurnal.mk – Hristijan Mickoski sot e përmbylli rekonstruksionin e shumëparalajmëruar të Qeverisë. Në Kuvend u zgjodh ministër i ri pa portofol kryetari i Partisë Demokratike të Turqve, Zulfikar Zejnula, pasi partia arriti marrëveshje koalicioni me partinë më të madhe në pushtet, VMRO‑DPMNE. Pas kësaj, deputeti i PDT‑së, Bejxhan Iljas, i cili erdhi nga lista e Frontit Evropian të udhëhequr nga BDI, iu bashkua shumicës qeveritare. Me bashkimin e tij, koalicioni i udhëhequr nga VMRO‑DPMNE tani numëron 59 deputetë, pa përfshirë deputetët e partnerëve të tjerë të koalicionit – VREDI dhe ZNAM.

Zgjedhja e Zejnulës u veçua nga pjesa tjetër e anëtarëve të rinj të Qeverisë të votuar disa ditë më parë, për të respektuar rregullin që kryeministri mund të propozojë rekonstruksion të jo më shumë se një të tretës së ministrave. Nëse Zejnula do të ishte pjesë e atij paketi, atëherë propozimi do të konsiderohej si zgjedhje e një qeverie të re, procedurë krejtësisht tjetër – në të cilën kryeministri duhet së pari ta kthejë mandatin, e më pas presidentja e shtetit të japë mandat për përbërjen e qeverisë së re.

“Po kërkoj mbështetje për parimin që institucionet duhet të drejtohen nga njerëz që kanë përgjegjësi për t’i udhëhequr ato dhe për të zgjidhur problemet e qytetarëve. Nevojitet politikë që bashkon, e jo që krijon hendek të ri”, e mbrojti propozimin para deputetëve kryeministri Mickoski.

Nga ana tjetër, opozita theksoi se më i rëndësishëm se përkatësia etnike e kandidatit është vizioni dhe cilësia e tij për të ushtruar një pozitë të tillë. Sipas opozitës, propozimi i sotëm është edhe një tregti e re politike.

Në biografinë e ministrit të sapozgjedhur Zejnula thuhet se ai ka përvojë shumëvjeçare në administratën publike dhe sektorin e sigurisë. Në periudhën 2021–2024 ka ushtruar funksionin e zëvendës‑drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, ndërsa më herët ka qenë këshilltar në Këshillin e Komunës së Gostivarit dhe ka punuar në sektorin juridik të Partisë Demokratike të Turqve. Përvojë profesionale ka fituar edhe në sektorin privat.

Zejnula është i diplomuar në kriminalistikë në Fakultetin e Sigurisë pranë Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit” në Manastir. Përveç gjuhës turke si gjuhë amtare, ai flet edhe maqedonisht, shqip, gjermanisht dhe serbisht.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër