Karim Khan është shkarkuar nga posti i Kryeprokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, pasi anëtarët e këtij institucioni ndërkombëtar votuan vendimin. Pro shkarkimit të Khan ishin 82 vota, në organin që përbëhet nga 125 shtete anëtare të Gjykatës Ndërkombëtare Penale të Hagës.
Karim Khan, i zgjedhur si prokurori i tretë i përhershëm i Gjykatës Ndërkombëtare Penale në vitin 2021, ishte pezulluar nga detyra muajin e kaluar. Në qershor, organi mbikëqyrës i gjykatës arriti në përfundimin se ai kishte kryer një “shkelje të rëndë të detyrës dhe sjellje të rëndë të papërshtatshme”, duke u përfshirë në një marrëdhënie seksuale të papërshtatshme me një punonjëse më të re të institucionit dhe duke u përpjekur ta pengonte atë të ndiqte zyrtarisht ankesën e saj. Khan i ka mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat. Avokati i tij deklaroi se ish-kryeprokurori do ta kundërshtojë vendimin përmes të gjithë mekanizmave ligjorë të disponueshëm, duke vënë në dyshim ligjshmërinë dhe drejtësinë e procesit.
Khan, një jurist britanik i njohur, ndodhej në statusin e një lejeje vullnetare që prej majit 2025 për t’u përballur me akuzat. Ai mbetet gjithashtu i pezulluar nga ushtrimi i profesionit të avokatit në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa autoritetet britanike vijojnë hetimin e tyre.
Ai nuk ishte i pranishëm në votimin e zhvilluar në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, pasi i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara për shkak të sanksioneve të vendosura nga administrata e presidentit Donald Trump ndaj tij, pas kërkesës së Khan për lëshimin e urdhër-arresteve ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime të dyshuara të lidhura me luftën në Gaza.
Akuzat ndaj Khan u raportuan fillimisht në maj 2024 nga një palë e tretë. Hetimi i parë u mbyll pasi personi që pretendonte se ishte viktimë nuk pranoi të merrte pjesë në procedurë. Më vonë, në tetor 2024, çështja iu referua Zyrës së Shërbimeve të Mbikëqyrjes së Brendshme të Kombeve të Bashkuara (OIOS), e cila zhvilloi një hetim të gjerë mbi akuzat për sjellje të papërshtatshme seksuale dhe shpërdorim të autoritetit.
Hetimi, i zhvilluar nga nëntori 2024 deri në dhjetor 2025, mblodhi mbi 5 mijë faqe prova dhe dëshmi. Më pas, gjetjet u shqyrtuan nga një panel prej tre gjyqtarësh, i cili këshilloi se sjellja e Khan përbënte shkelje të rëndë disiplinore.
Ndërkohë, Gjykata Penale Ndërkombëtare vijon të përballet me presion të fortë politik. Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj Khan dhe, së fundmi, kanë shpallur një fushatë të re për dobësimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, duke argumentuar se veprimet e saj cenojnë sovranitetin amerikan. Uashingtoni ka paralajmëruar sanksione të tjera, përfshirë ndalime vizash, ngrirje asetesh dhe presion diplomatik ndaj vendeve aleate që të kufizojnë bashkëpunimin me gjykatën.
