Lëkundje të forta në Itali, tërmeti 4.1 zgjon frikë te banorët e Molises

Nga Xh M
910 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Romë, 25 korrik Zhurnal.mk – Një tërmet me magnitudë 4.1 të shkallës Rihter goditi rajonin e Molises në Itali pak pas mesnatës së së shtunës, sipas Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV).

Epiqendra e lëkundjes u lokalizua në Pizzone, në provincën e Isernias, në një thellësi prej rreth 10 kilometrash. Tërmeti u ndje në të gjithë provincën, si edhe në zonat përreth, përfshirë Chieti, L’Aquila dhe Caserta, duke bërë që shumë banorë të dilnin në rrugë të alarmuar.

Më vonë, në orën 03:41 të mëngjesit, u regjistrua edhe një pasgoditje me magnitudë 2.2 në të njëjtën zonë, me epiqendër në një thellësi prej 9 kilometrash.

Rajoni i Isernias kishte përjetuar edhe më herët aktivitet sizmik, pasi në janar u regjistruan dy tërmete me magnitudë 2.5.

Autoritetet bëjnë të ditur se deri më tani nuk ka raportime për të lënduar apo dëme materiale.

Kryetari i bashkisë së Pizzones, Vincenzo Di Cristofano, tha se është në kontakt të vazhdueshëm me Mbrojtjen Civile rajonale dhe se kontrollet e para nuk kanë evidentuar pasoja.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër