Shkup, 27 korrik, Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, priti në takim sekretarin e Shtetit për Bashkimin Evropian të Mbretërisë së Spanjës, Fernando Mariano Sampedro Markos, i cili po qëndron për vizitë pune në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Siç njoftoi Ministria për Çështje Evropiane, në takim u diskutua për avancimin e procesit të integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut, zbatimin e Agjendës së Reformave, si dhe zhvillimet aktuale në kuadër të politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Ministri Sali shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Spanjës ndaj perspektivës evropiane të vendit, duke theksuar se ruajtja e kredibilitetit të procesit të zgjerimit është me rëndësi strategjike jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë rajonit.
Bashkëbiseduesit riafirmuan marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe ndërmjet dy vendeve dhe shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në mbështetje të agjendës evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
