Christophe Le Rigoler: Interpretimet e ndryshme të historisë nuk duhet të ushqejnë nacionalizmin

Nga Xh M
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 29 shtator Zhurnal.mk – Interpretimet e ndryshme të historisë nuk duhet të ushqejnë nacionalizmin, por duhet të shërbejnë si bazë për dialog dhe mirëkuptim, porositi ambasadori francez në Maqedoninë e Veriut, Christophe Le Rigoler, në një intervistë për “Telma”.

Sipas tij, Evropa ka vuajtur për një kohë të gjatë nga ideologjitë, të cilat, në vend që të çojnë përpara shoqëritë, i kthejnë ato prapa.

Me hapjen e ekspozitës “Solidariteti si e ardhme” në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup, sonte nis konferenca ndërkombëtare “Dialogët evropianë, trashëgimia dhe e ardhmja evropiane”, ku janë paraparë disa debate, mes tyre edhe diskutimi me temën “Çfarë Evrope duam nesër?”.

“Unë do të doja një Evropë ku të ndalojmë së manipuluari me historinë, ku do të pranojmë se historia është realitet, sepse ekzistojnë fakte që tregojnë se diçka ka ndodhur. Mund të kemi interpretime të ndryshme të historisë dhe këtë e kuptoj. Por interpretimi i ndryshëm nuk duhet të ushqejë narrativa politike dhe nacionaliste”, tha Le Rigoler.

Ai theksoi se Evropa e ka paguar një çmim të lartë për nacionalizmin dhe konfliktet territoriale, duke shtuar se sot duhet të krijohen kushte që kontinenti të mos përsërisë gabimet e së kaluarës.

“Ne në Evropë e kemi paguar shumë shtrenjtë çmimin e nacionalizmit, i kemi paguar shtrenjtë konfliktet territoriale. Sot duam të krijojmë kushte që të mos biem sërish në atë devijim, ndërsa kjo gjë ndodh vazhdimisht. Vetëm shikoni se çfarë po ndodh sot në Ukrainë. Historia është manipuluar për të justifikuar agresionin ndaj një shteti fqinj”, tha ambasadori francez.

Le Rigoler u shpreh se dëshiron një Evropë që do të çlirohet nga ideologjitë, duke bërë dallim mes ideve dhe ideologjive.

“Është mirë të kemi ide, por ideologjitë janë sëmundja e idesë, sepse idetë na ndihmojnë të përparojmë, ndërsa ideologjitë na çojnë drejt regresit. Fatkeqësisht, Evropa ka vuajtur gjatë nga ideologjitë. Të gjitha episodet dramatike të shekullit XX na treguan se ato, pjesërisht, mund ta shkatërrojnë Evropën”, tha Le Rigoler.

Ai theksoi rëndësinë e debatit dhe shkëmbimit të ideve, edhe atëherë kur ekzistojnë mospajtime, duke vlerësuar se dialogu është mënyra për të shmangur përsëritjen e konflikteve dhe ndarjeve të së kaluarës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër