Shkup, 27 korrik, Zhurnal.mk – Vendosja e një strukture metalike mbrojtëse mbi monumentin Makedonium në Krushevë do të jetë objekt i mbikëqyrjes inspektuese, pasi Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore (DMTHK) njoftoi se për këtë ndërhyrje nuk ka lëshuar leje konservimi.
Drejtoresha e Drejtorisë, Vesela Çestojeva, informoi se megjithëse Makedonium që në vitin 2025 është shpallur si pasuri kulturore në rrezik dhe janë përcaktuar masa urgjente për mbrojtjen e tij, institucioni nuk ka pranuar kërkesë për miratimin e vendosjes së strukturës së përkohshme metalike.
“Për këtë ndërhyrje nuk është dorëzuar kërkesë për leje konservimi. Për këtë arsye është urdhëruar mbikëqyrje inspektuese, e cila do të kryejë kontroll në terren dhe do të konstatojë gjendjen faktike. Pas përfundimit të procedurës, opinioni do të informohet,” deklaroi Çestojeva.
Nga NZH Zavod dhe Muzej – Prilep theksojnë se struktura është vendosur si masë e përkohshme për mbrojtjen e monumentit nga dëmtimet e mëtejshme. Sipas drejtoreshës Mimoza Hristoska, ajo do të mbulojë tetë galeritë e xhamta derisa të përgatitet projekti bazë për konservim, restaurim dhe sanim të plotë.
Hristoska rikujton se Makedonium prej vitesh është i ekspozuar ndaj dëmtimeve serioze të shkaktuara nga lagështia, rrjedhjet dhe vitrazhet e dëmtuara, ndërsa ndërhyrjet e fundit më të rëndësishme janë realizuar në vitet 2016 dhe 2017. Ajo thekson se struktura aktuale nuk do të mbetet e përhershme, por në fazën e ardhshme do të mbulohet me leksan, duke mos qenë e dukshme në formën e tanishme.
Ndërkohë, Qendra Kombëtare e Konservimit njoftoi se pas kontrollit të kryer janë konstatuar dëmtime serioze në strukturën metalike mbajtëse dhe në xhamat vitrazh. Sipas tyre, gjendja kërkon masa urgjente konservuese dhe përgatitjen e një projekti për mbrojtje të qëndrueshme të një prej objekteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore bashkëkohore maqedonase.
Vendosja e strukturës metalike ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, për shkak të shqetësimeve se po dëmtohet pamja karakteristike e Makedoniumit. Institucionet kompetente, megjithatë, sigurojnë se bëhet fjalë për masë të përkohshme mbrojtëse, e cila ka për qëllim ruajtjen e monumentit deri në fillimin e restaurimit të tij të plotë.
