Armend Muja në Vjenë, Kosova dhe Austria thellojnë bashkëpunimin për bujqësinë dhe integrimin evropian

Nga D V
563 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 28 korrik, Zhurnal.mk – Ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Kosovës Armend Muja, është pritur në Vjenë nga Ministri Federal i Bujqësisë, Pylltarisë, Klimës dhe Menaxhimit të Ujërave të Austrisë, Norbert Totschnig, në një takim zyrtar të fokusuar në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe zhvillimin e sektorit të bujqësisë.

Sipas komunikatës për media, gjatë takimit ministrat kanë diskutuar për procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe harmonizimin e politikave bujqësore me praktikat dhe standardet e Bashkimit Evropian.

Temë e diskutimit ishte edhe forcimi i sistemit të kontrollit zyrtar të ushqimit, zhvillimi i mekanizmave për paralajmërim të hershëm dhe mbrojtje nga breshëri, digjitalizimi i sektorit të bujqësisë, si dhe bashkëpunimi ndërmjet instituteve bujqësore dhe institucioneve kërkimore të të dy vendeve.

Gjatë takimit u shqyrtuan edhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit institucional përmes shkëmbimit të ekspertëve, zyrtarëve, studiuesve dhe studentëve, me qëllim forcimin e kapaciteteve profesionale dhe transferimin e njohurive e praktikave më të mira evropiane.

Ministri Muja ka falënderuar homologun austriak për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë ndaj Kosovës, duke theksuar se partneriteti ndërmjet dy vendeve është i rëndësishëm për modernizimin e sektorit të bujqësisë, rritjen e konkurrueshmërisë dhe përshpejtimin e përafrimit të Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian.

Takimi në Vjenë vlerësohet si një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër