​Rritet konsumi i rrymës, ja sa importoi Kosova energji elektrike në shtator – ASK jep detaje

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 16 nëntor, Zhurnal.mk – Konsumi i energjisë elektrike në Kosovë është rritur për 10,74% gjatë shtatorit 2026, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërkohë, prodhimi i energjisë nga era dhe dielli ka shënuar rritje prej 96,23 për qind, raporton KosovaPress.

Këto të dhëna janë publikuar të hënën nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në raportin për statistikat e energjisë për muajin shtator 2026.

Sipas ASK-së, konsumi i përgjithshëm i energjisë elektrike arriti në 386,10 gigavat-orë (GWh), nga 348,67 GWh sa ishte në shtator 2025.

Rritja e konsumit është evidentuar në amvisëri, sektorin komercial dhe industri.

Amvisëritë konsumuan 200,41 GWh energji elektrike, duke shënuar rritje prej 11,01% krahasuar me vitin paraprak. Sektori komercial regjistroi rritje prej 13,66%, ndërsa industria prej 8,43%.

Sipas strukturës së konsumit, amvisëritë përbënin 51,9% të konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike, sektori komercial 30%, ndërsa industria 12,9%.

Prodhimi nga era dhe dielli rritet për 96,23%

Të dhënat e ASK-së tregojnë se prodhimi bruto i energjisë elektrike nga era dhe burimet solare arriti në 38,16 GWh gjatë shtatorit 2026, krahasuar me 19,45 GWh në periudhën e njëjtë të vitit 2025.

Kjo paraqet një rritje prej 96,23%, ndërsa pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në konsumin e përgjithshëm ishte 11,20%.

Rritje është regjistruar edhe në prodhimin e energjisë nga hidrocentralet, me 31,24%, ndërsa prodhimi bruto nga termocentralet është rritur për 3,81%.

Energjia elektrike bruto në dispozicion gjatë shtatorit arriti në 467,69 GWh, ose 4,42% më shumë krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.

Kosova importoi më shumë energji sesa eksportoi

Sa i përket shkëmbimeve të energjisë elektrike, Kosova gjatë shtatorit 2026 regjistroi import prej 308,37 GWh dhe eksport prej 274,23 GWh, ku përfshihen edhe sasitë e transmisionit.

Krahasuar me shtatorin 2025, importi i energjisë elektrike ka shënuar rënie prej 2,66%, ndërsa eksporti është rritur për 2,24%.

Ndërkohë, prodhimi i thëngjillit gjatë shtatorit ishte 509.853 tonë, duke shënuar rënie prej 1,12% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Të dhënat janë pjesë e raportit zyrtar të ASK-së, të publikuar më 16 nëntor 2026.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër