Shkup, 28 korrik, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski, në konferencën e sotme për media, paralajmëroi se gjatë javës së ardhshme pritet ulje e çmimeve të derivateve të naftës, pasi analizat për periudhën dyjavore do të përfundojnë dhe do të bëhet llogaritja e re.
Ai sqaroi se akcidat dhe parametrat e tjerë analizohen çdo dy javë dhe se të hënën do të përgatitet mesatarja për gjysmën e dytë të muajit, pas së cilës do të përcaktohen çmimet e reja të dizelit dhe benzinës.
„Është pozitive që tashmë dy ditë me radhë çmimi i naftës është në rënie. Sot u stabilizua diku mes 85 dhe 86 dollarë për fuçi, prandaj pres që javën e ardhshme të ketë ulje më të madhe të çmimeve të dizelit dhe benzinës“, tha Mickoski.
Ai theksoi se nafta është produkt bursier që të gjitha shtetet e blejnë në të njëjtat kushte, por vlerësoi se Maqedonia ka çmimet më të ulëta të dizelit dhe benzinës pa plumb në rajon, si dhe siç u shpreh ndër më të ulëtat në Evropë.
