BMZ mbyll fabrikën në Maqedoninë e Veriut, TIDZ paralajmëron investitor të ri për objektin

Nga R.ZH
1,018 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 korrik, Zhurnal.mk – Kompania gjermane BMZ, e cila prodhon sisteme baterish, ka konfirmuar se do ta mbyllë fabrikën e saj në Maqedoninë e Veriut dhe do ta zhvendosë prodhimin në Poloni, duke theksuar se procesi do të realizohet me përgjegjësi ndaj punonjësve.

Në njoftimin e kompanisë thuhet se BMZ është e vetëdijshme për pasojat që ky vendim do të ketë për të punësuarit në vend.

“BMZ e njeh ndikimin që ky vendim do të ketë mbi të punësuarit në Maqedoninë e Veriut. Kompania është plotësisht e përkushtuar që këtë tranzicion ta realizojë me përgjegjësi, transparencë dhe respekt ndaj të gjithë punonjësve”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Për largimin e investitorit janë njoftuar edhe në Drejtorinë për Zonat Zhvillimore Teknologjiko-Industriale (TIDZ). Nga kjo drejtori, për televizionin Telma, janë shprehur se tashmë po ndërmerren aktivitete për të zbutur pasojat e mbylljes së fabrikës.

Sipas TIDZ-it, një investitor që tashmë operon prej kohësh në Maqedoninë e Veriut ka shprehur interes për të punësuar një pjesë të punonjësve të BMZ-së, megjithëse nuk është bërë publik emri i kompanisë.

Po ashtu, nga drejtoria bëjnë të ditur se gjatë këtyre ditëve pritet të mbërrijë në vend një investitor tjetër nga Bashkimi Evropian, me të cilin do të zhvillohen bisedime për shfrytëzimin e kapaciteteve të fabrikës së BMZ-së. Megjithatë, nuk janë dhënë detaje nëse bëhet fjalë për një kompani nga industria automobilistike apo nga një sektor tjetër.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër