Mickoski i bën thirrje Prokurorisë të hetojë qindra raportime për ujë jo cilësor në Gostivar që nga viti 2021

Nga I.A
797 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 29 korrik, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se pret që Prokuroria të hapë procedurë për verifikimin e rreth 400 raportimeve për ujë të pakualitetshëm në Gostivar gjatë vitit 2021, duke theksuar se atëherë “nuk është ndërmarrë asnjë masë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve”.

Reagimi i tij erdhi si përgjigje ndaj akuzave të opozitës se Qeveria aktuale nuk ka vepruar në kohë lidhur me krizën e ujit në Gostivar.

„Akuzat vijnë nga njeriu të cilit i digjeshin njerëzit të gjallë në spitalin modular në Tetovë. Njeriu që do të mbahet mend si rekordmen për numrin e të vdekurve gjatë krizës së koronës, sepse nuk arriti të sigurojë vaksina në kohë. Më shumë merrej me PR dhe fushata sesa me punën e tij. Dhe këtë e thonë njerëzit që e sollën skandalin më të madh në shëndetësi skandalin e Onkologjisë, për të cilin ka proces gjyqësor“, tha Mickoski.

Ai shtoi se në vitin 2021, kur Venko Filipçe ishte ministër i Shëndetësisë dhe kur personi që sot del në konferenca për shtyp nga LSDM ishte drejtor në Institutin e Shëndetit Publik, ka pasur mbi 400 raportime për ujë të pasigurt në Gostivar, por “nuk është ndërmarrë asgjë — zero”.

„I bëj thirrje Prokurorisë, nga këtu, nga Dellçeva, të verifikojë këto të dhëna për të cilat po flas dhe të nisë procedurë për të sqaruar pse këta njerëz, kur kanë pasur mundësi, nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për të mbrojtur shëndetin e gostivarasve. Por jo vetëm të gostivarasve, por edhe të qytetarëve në komunat e tjera. Prokuroria duhet të veprojë menjëherë. Pres që Prokuroria, që sot, të hyjë në Institutin e Shëndetit Publik dhe në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari, për të verifikuar këto të dhëna“, deklaroi Mickoski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër