Uashington, 30 korrik, Zhurnal.mk – Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi dje në mbrëmje se kryeministri i ri i Britanisë së Madhe, Andy Burnham, i ka thënë se do të lejojë zgjerimin e shfrytëzimit të naftës në Detin e Veriut.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se nëse Burnham e mban këtë premtim, Britania e Madhe “do të bëhet një vend i pasur”.
Trump përsëriti gjithashtu kritikat e tij ndaj emigracionit, duke thënë se ai po e “shkatërron” Britaninë e Madhe, pasi sipas tij njerëz nga e gjithë bota po shkojnë dhe po vendosen atje.
Pas bisedës telefonike mes dy liderëve në ditën e parë të Burnham në detyrë, zyra e kryeministrit britanik nuk pranoi të komentonte mbi planet e mundshme për zgjerimin e shpimeve për naftë në Detin e Veriut, pavarësisht deklaratave të Trump.
Presidenti amerikan, një mbështetës i fortë i lëndëve djegëse fosile, ka kërkuar prej kohësh rritjen e prodhimit të naftës dhe gazit, ndërsa ka kritikuar vazhdimisht energjinë e erës.
Nga ana tjetër, manifesti zgjedhor i Partisë Laburiste për vitin 2024, parashikonte se nuk do të jepeshin licenca të reja për nxjerrjen e naftës dhe gazit në Detin e Veriut.
“Ai tha një gjë shumë të mirë. Më tha se do të hapë projektin për shfrytëzimin e naftës në Detin e Veriut. Nëse e bën këtë, BM-ja do të jetë një vend i pasur”, tha Trump duke iu referuar bisedës me Burnham.
