Hapja e konsullatë serbe në Shkodër, reagon Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha

Nga D V
652 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 30 korrik, Zhurnal.mk – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar pas debatit të krijuar nga deklarata e ministrit të Jashtëm të Serbisë për mundësinë e hapjes së një konsullate serbe në Shkodër, duke theksuar se interesi kryesor i Shqipërisë mbetet hapja e një Konsullate të Përgjithshme shqiptare në Luginën e Preshevës.

Sipas Hoxhës, Shqipëria ka kërkuar prej kohësh krijimin e një përfaqësie të përhershme konsullore në Luginën e Preshevës, ndërsa Serbia ka paraqitur kërkesën e saj për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Shkodër. Ai sqaroi se çdo hap do të ndërmerret vetëm pasi të ketë dakordësi mes palëve për të gjitha aspektet e procesit.

Ministri theksoi se reciprociteti është një parim themelor i marrëdhënieve diplomatike dhe nuk duhet parë si një barazim mekanik i interesave apo objektivave të dy shteteve.

“Synimi dhe interesi i Shqipërisë është të krijojë më në fund një prani konsullore të përhershme në Luginën e Preshevës, një zhvillim i vonuar në një hapësirë ku jeton një komunitet i rëndësishëm shqiptar. Kjo do të na mundësojë të jemi më pranë qytetarëve shqiptarë, t’i mbështesim më drejtpërdrejt dhe të mbrojmë interesat e tyre legjitime,” u shpreh Hoxha.

Ai kritikoi reagimet që, sipas tij, janë fokusuar tek mundësia e hapjes së konsullatës serbe në Shkodër, duke lënë në plan të dytë përfitimin që sjell për shqiptarët e Luginës së Preshevës krijimi i një përfaqësie diplomatike shqiptare.

Në deklaratën e tij, Hoxha nënvizoi se politika e jashtme e Shqipërisë bazohet në interesin kombëtar, respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe vlerave evropiane, e jo në emocione apo perceptime.

“Ky është standardi ynë sot, por edhe standardi që Shqipëria synon të mbajë si vendi i ardhshëm anëtar i Bashkimit Evropian. Ne jemi të vendosur ta përfaqësojmë këtë qasje në çdo vendimmarrje të politikës sonë të jashtme,” përfundoi ministri. /euronews/

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër