Abdixhiku para votimit për shkarkimin e tij: Ky kuvend është i gabuar, LDK-ja nuk del më e bashkuar nga rrëzimi

Nga Xh M
797 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 30 korrik Zhurnal.mk – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbajtur fjalimin e tij para delegatëve në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, ku do të vendoset për të ardhmen e tij në krye të LDK-së.

Abdixhiku tha se posti i kryetarit nuk është i përhershëm dhe se kjo përgjegjësi është një besim i përkohshëm i dhënë nga anëtarësia e partisë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Në momentin kur mora për herë të parë karrigen e kryetarit të LDK-së, kam ditur qartë se ky funksion, kjo karrige, nuk më përkiste përjetësisht. Ishte një besim i dhënë përkohësisht nga ju. Duhet mbajtur me nder dhe një ditë sërish do t’i kthehet kësaj shtëpie”, tha Abdixhiku.

Ai pranoi se gjatë mandatit të tij ka pasur vendime që mund të ishin marrë ndryshe, por theksoi se çdo veprim i tij ka qenë i udhëhequr nga interesat e LDK-së.

“Nuk kam qenë as i përkryer e as i pagabueshëm. Kam marrë vendime që mund t’i kisha marrë ndryshe, kam marrë vendime që s’duhet t’i merrja ndryshe. Por një gjë mund t’jua them me ndërgjegje të plotë: asnjë vendim, asnjë veprim dhe asnjë sjellje nuk e kam marrë duke menduar për veten para Lidhjes Demokratike të Kosovës”, u shpreh ai.

Abdixhiku tha se e ka konsideruar detyrim respektimin e kërkesës së delegatëve për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm, duke theksuar se ky është një mekanizëm demokratik i paraparë me statut.

“Këtë kuvend nuk e kam thirrur; ky kuvend më është thirrur. Dhe thirrja e kuvendit nga delegatët tanë është një mekanizëm krejt demokratik, që statuti ynë e njeh. Si kryetar i LDK-së e kam konsideruar detyrim ta respektoj pa asnjë hezitim këtë nismë”, deklaroi Abdixhiku.

Megjithatë, ai kritikoi kohën e mbajtjes së Kuvendit, duke thënë se nuk e sheh këtë proces si një festë të demokracisë së brendshme.

“Sot duhet të them me keqardhje të madhe se këtë kuvend as nuk e ndjej, e as nuk e shoh si festë. Për herë të parë në historinë tonë 37-vjeçare, nuk po mblidhemi për të zgjedhur, por po mblidhemi për të rrëzuar”, tha ai.

Sipas tij, kjo nismë mund të dëmtojë imazhin dhe unitetin e LDK-së.

“Kur rrëzimi është qëllimi, kur rreth rrëzimit provohet të reduktohet kjo shtëpi, atëherë LDK as nuk del më e fortë, as nuk del më e organizuar dhe, më besoni, as nuk del më e bashkuar”, u shpreh Abdixhiku.

Ai tha se vendimet e tilla ndikojnë edhe në perceptimin e qytetarëve ndaj partisë.

“Populli, ata që na votojnë, ata për të cilët ekzistojmë si parti, kur e sheh LDK-në kështu, ndahet nga ne. Dhe të jeni të sigurt: populli po na sheh”, tha kryetari i LDK-së.

Abdixhiku e cilësoi nismën për shkarkimin e tij si të gabuar dhe të parakohshme, duke argumentuar se LDK-ja së shpejti do të hyjë në procesin e rregullt të zgjedhjeve të brendshme.

“E konsideroj të gabuar këtë kuvend, sepse vjen në një kohë të ndjeshme për vendin, në një periudhë përcaktuese për partinë tonë. Vjen vetëm pak muaj pasi mbajtëm kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së dhe vetëm pak muaj para se të kemi kuvendin e rregullt të zgjedhjeve të brendshme të LDK-së”, deklaroi ai.

Abdixhiku kërkoi që procesi të zhvillohet me qetësi dhe maturi, duke theksuar se askush nuk është më i madh se partia.

“As kush prej nesh nuk është më i madh se kjo parti, as kush prej nesh nuk është i përjetshëm në detyrat që marrim në këtë shtëpi”, përfundoi Abdixhiku.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër