Shkup, 31 korrik, Zhurnal.mk – Komuna e Çairit vazhdon me realizimin e investimeve infrastrukturore në lagjen Sahat Kullë, ku po zhvillohen me intensitet punimet për rikonstruksionin e infrastrukturës nëntokësore, si pjesë e projektit për modernizimin e rrjetit komunal dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët.
Punimet u inspektuan nga Kryetari i Këshillit Komunal të Çairit, Muhamed Murtezi, së bashku me ekipet përgjegjëse, me ç’rast u konstatua se projekti po hyn në fazën përfundimtare të realizimit.
Pas përfundimit të punimeve në rrjetin nëntokësor, së shpejti do të fillojë edhe asfaltimi i rrugës, duke e kompletuar investimin dhe duke siguruar infrastrukturë moderne dhe funksionale për banorët e kësaj pjese të Çairit.
Komuna e Çairit mbetet e përkushtuar në realizimin e projekteve zhvillimore që përmirësojnë infrastrukturën dhe rrisin cilësinë e jetesës në çdo lagje.



