Blushi: Shkrirja e 15 bashkive prodhon konflikt, cenon vetëqeverisjen e komuniteteve

Nga D. V.
553 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 3 gusht, Zhurnal.mk – Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, e cilësoi propozimin e Partisë Socialiste për reformën administrativo-territoriale si një nismë që, sipas tij, cenon parimet kushtetuese të decentralizimit dhe autonomisë vendore.

Blushi deklaroi se shkrirja e 15 bashkive nuk përbën një reformë që synon përmirësimin e shërbimeve publike apo rritjen e efikasitetit administrativ, por një përqendrim të pushtetit vendor në duart e qeverisë qendrore. Sipas tij, kjo do të dobësonte komunitetet lokale, do ta largonte administratën nga qytetarët dhe do t’i kthente bashkitë në një zgjatim të ekzekutivit.

Ai shtoi se drafti nuk synon forcimin e pushtetit vendor, por ridizenjimin e hartës administrative për interesa politike dhe elektorale të mazhorancës.

Blushi theksoi se çdo ndryshim i hartës territoriale duhet të shoqërohet me dialog kombëtar, konsultim të gjerë dhe respektim të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore, si dhe të Kushtetutës.

“Ky draft nuk synon përmirësimin e pushtetit vendor, por ridizenjimin e hartës administrative për interesa politike dhe elektorale të mazhorancës. Ndryshimi i hartës territoriale kërkon dialog kombëtar, konsultim real dhe respektim të Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Vendore e të Kushtetutës. Një reformë e imponuar nuk ndërton konsensus, por prodhon konflikt”, tha ai.

Blushi kërkoi tërheqjen e menjëhershme të projektit, të cilin e cilësoi si “shpopullues dhe shkombëtarizues”.

Ai u bëri thirrje Presidentit të Republikës, Avokatit të Popullit, ekspertëve të qeverisjes vendore, organizatave të shoqërisë civile, Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, institucioneve të Bashkimit Evropian dhe organizmave ndërkombëtarë që mbrojnë demokracinë lokale të reagojnë ndaj kësaj nisme, të cilën e konsideroi të pakonsultuar, antikushtetuese dhe antidemokratike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër