Dy ditë pasi mësuan se e punësuara ishte shtatzënë, pronarët filluan t’i jepnin vërejtje disiplinore

Nga I.A
708 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 3 gusht, Zhurnal.mk – Punëtoren shtatzënë nuk e shpëtoi as vendimi i Inspektoratit Shtetëror të Punës, me të cilin anulohet ndryshimi i njëanshëm i kontratës së saj të punës nga një vit në vetëm tre muaj, që e kishte ndryshuar shefi për ta larguar menjëherë.

Komisioni për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, pavarësisht mendimeve të nxjerra për diskriminim të drejtpërdrejtë dhe të pamëshirshëm ndaj grave që marrin pushim nga puna sapo u thonë shefave se janë shtatzëna, është i mbytur nga këto ankesa. Raste të tilla janë bërë të përditshme, ndërsa shteti nuk merr masa për të ndaluar këtë çnjerëzi.

Komisioni konstatoi diskriminim të drejtpërdrejtë ndërseksional mbi bazën e gjinisë, seksit, gjendjes shëndetësore dhe vetisë personale – shtatzënisë, në fushën e punës dhe marrëdhënieve të punës, të kryer nga bashkëshortët: shefi i një zinxhiri butikësh dhe gruaja e tij e punësuar tek ai si llogaritare dhe kontabiliste, njofton SDM.MK.

Sipas ankesës që ajo kishte paraqitur, punëtorja e diskriminuar kishte kontratë me afat të caktuar nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2026. Kishte punuar edhe më parë si shitëse në një nga butikët dhe nuk kishte asnjë problem; përkundrazi, i ishte ofruar të nënshkruante kontratë pune edhe për të gjithë këtë vit.

Pasi i kishte thënë punëdhënësit se ishte shtatzënë, i ishte thënë se nuk kishin nevojë për të dhe menjëherë filluan presionet për dorëheqje të detyruar. Më 7 shkurt ajo fillimisht i kishte thënë gruas së shefit, pastaj më 9 kishte ardhur vërejtja e parë disiplinore për të, më 11 një e re dhe më 12 e treta me kërcënime që të nënshkruante menjëherë marrëveshje për dorëheqje. Ankuesja nuk e nënshkroi; nga stresi i fortë u sëmur dhe shkoi te mjeku. Atje e dërguan me pushim mjekësor, përcjell Pa Censurë.

Më 13 shkurt punëdhënësi e çregjistroi (pasi më parë i kishte ndryshuar në mënyrë të njëanshme dhe me iniciativë të tij kontratën nga një vit në vetëm tre muaj) dhe menjëherë shpalli konkurs për shitëse, në vendin e saj. Punëtoren shtatzënë nuk e shpëtoi as vendimi i Inspektoratit Shtetëror të Punës, ku ajo e kishte denoncuar punëdhënësin, me të cilin anulohet ndryshimi i njëanshëm i kontratës së saj të punës që shefi e kishte ndryshuar për ta larguar menjëherë.

Kushtetuta e Maqedonisë garanton të drejtën e barazisë, vendimmarrjen e lirë për krijimin e familjes dhe mbrojtjen e veçantë të amësisë, duke garantuar njëkohësisht edhe të drejtën e punës.

Neni 6 i Ligjit për marrëdhëniet e punës vendos ndalim të përgjithshëm të diskriminimit, ndër të tjera edhe mbi bazën e gjinisë, statusit familjar ose rrethanave të tjera personale.

Në fushën e marrëdhënieve të punës, mbrojtja nga diskriminimi për shkak të shtatzënisë ka rëndësi të veçantë, sepse punëtoret shtatzëna ndodhen në një pozitë specifike në të cilën mund të ekspozohen ndaj rrezikut të humbjes së punës, presionit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, ose trajtimit të pafavorshëm për shkak të përdorimit të mbrojtjes shëndetësore dhe mungesës nga puna.

Komisioni për diskriminimin rekomandon që brenda 30 ditëve nga dita e pranimit të këtij Mendimi, punëdhënësi të bëjë përpjekje për kompensim të dakorduar të dëmit material dhe jomaterial që e punësuara shtatzënë e larguar ka pësuar si pasojë e diskriminimit të konstatuar, duke njoftuar me shkrim Komisionin për veprimet e ndërmarra dhe duke dorëzuar prova përkatëse për përmbushjen e rekomandimit.

Komisionu rekomandon që bashkëshortët – pronari/punëdhënësi dhe llogaritarja – t’i kërkojnë falje viktimës së diskriminimit të rëndë dhe të dorëzojnë prova te Komisioni se e kanë bërë këtë.

Moszbatimi i rekomandimeve do të thotë denoncim i diskriminuesve në gjykatën kompetente.

Komisioni nuk i publikon identitetet e palëve në procedurat.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër