Londër, 3 gusht, Zhurnal.mk – Zjarret dhe valët e të nxehtit që kanë goditur Francën, Spanjën dhe vende të tjera evropiane i kanë kushtuar kontinentit më shumë se tre miliardë euro vetëm këtë vit, sipas një analize të “Financial Times”.
Shifra nxjerr në pah ndikimin gjithnjë e më të madh ekonomik të zjarreve të lidhura me ndryshimet klimatike.
Gjatë dy muajve të parë të sezonit të zjarreve janë djegur pothuajse 500 mijë hektarë sipërfaqe pyjore dhe tokash. Vetëm në pesë vendet e eurozonës më të prekura, mes tyre Portugalia, Greqia dhe Rumania, dëmet ekonomike vlerësohen në rreth 3,1 miliardë euro.
Kjo shumë tejkalon ndjeshëm vlerësimin mesatar vjetor të Komisionit Evropian, i cili llogariste se zjarret shkaktonin rreth 2,5 miliardë euro dëme në të gjithë Bashkimin Evropian.
Analiza e “Financial Times” bazohet në metodologjinë e përdorur nga Komisioni Evropian dhe në llogaritjet e autoriteteve franceze. Vlerësimi përfshin të ashtuquajturën kosto të restaurimit, pra shpenzimet e nevojshme për rikthimin e zonave të djegura në gjendjen e tyre të mëparshme.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se ky është vetëm një tregues i pjesshëm i dëmeve. Në koston totale nuk përfshihen humbjet ekonomike nga ndërprerja e aktiviteteve, dëmtimi i infrastrukturës, ndikimi në turizëm, bujqësi dhe shëndetin e popullsisë.
Sipas analizës, dëmi përfundimtar pritet të jetë dukshëm më i lartë, ndërsa sezoni i zjarreve vazhdon dhe autoritetet në disa vende evropiane mbeten në gatishmëri për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut të shtuar për përhapjen e flakëve.
