Shkup, 4 gusht – Siç po vijon sezoni i verës, shkon e shtohet edhe më shumë intenziteti i dasmave. Por, fatkeqësisht një ves të vjetër dhe të keq nuk po mund ta largojmë kurrsesi – të shtënat me armë. Të festosh në dasmë, nuk është me domosdoshmëri të gjuash me armë, sepse pasojat nga ky veprim mund të jenë katasrofale. Rasti i fundit në Gostivar ka lënë shije të hidhur në opinion. Ata që bënin aheng me armë, tani mund të përfundojnë në burg dhe kjo e humb kuptimin edhe të dasmës, edhe të ahengut familjar dhe e prish kënaqësinë edhe të dasmorit, shkruan “Zhurnal.mk”.
Kërkohet paraburgim për katër persona që hapën zjarr në një dasmë
Prokuroria po kërkon paraburgim për katër të dyshuar të cilët, në mbrëmjen e 31 korrikut, hapën zjarr në një dasmë me pushkë dhe pistoleta në një shtëpi familjare në fshatin Dobërdoll të Komunës së Vrapçishtit.
Prokuroria ka njoftuar se mbrëmjen e 31 korrikut, në oborrin e një shtëpie familjare në fshat, në një festë dasme, të dyshuarit përdorën armë zjarri, përkatësisht tre pistoleta dhe një pushkë të markës dhe kalibrit të panjohur, me të cilat qëlluan në ajër, duke rrezikuar kështu jetën e një numri të madh personash të pranishëm në festën e dasmës. Ata dyshohen për veprën penale të “shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm”.
Dy ditë më parë, në rrjetet sociale u shfaq një video ku shiheshin të rinj në një makinë duke qëlluar në ajër. Pamjet shkaktuan reagime të shumta negative në rrjetet sociale, duke pasur parasysh ndalimin e rreptë të përdorimit të armëve në dasma dhe festime, shkruan “Zhurnal.mk”.
Dëmtohen vetura, plagosen njerëz!
Përdorimi i armëve në dasma shkakton probleme të mëdha. Shkrepja e armëve nëpër këto ahengje familjare ka bërë që në të kaluarën të dëmtohen vetura si dhe plumbat të përfundojnë në oborret e shtëpive. Këtë vit janë regjistruar vetëm dëme materiale ndërsa viteve të kaluara ka pasur edhe lëndime të personave nga plumbat e devijuar.
Policia e Maqedonisë së Veriut nuk ka publikuar ende një numër total dhe të grumbulluar të rasteve zyrtare për të shtënat me armë në ahengje specifike për vitin 2025 dhe vitin aktual 2026. Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) zakonisht i përfshin këto shkelje brenda raporteve më të gjera për “armëmbajtje pa leje”, “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” ose në statistikat e prishjes së rendit dhe qetësisë publike.
Gjatë vitit 2025 dhe 2026 janë regjistruar dhjetëra raste sporadike të arrestimeve direkte nëpër dasma dhe ahengje familjare, duke përfshirë edhe raste ku janë arrestuar zyrtarë policorë që kanë qëlluar në oborret e tyre. Policia ka aplikuar strategjinë e “zero tolerancës” ndaj kësaj dukurie.
Gjatë vitit 2025, nga të dhënat e disponueshme, vetëm në rajonin e Tetovës janë regjistruar nëntë raste ku plumbat e devijuar përfundojnë në prona private, shkruan “Zhurnal.mk”.
Qytetarët që gjuajnë me armë mund të përfundojnë nga 1-5 vite burg!
Qytetarët duhet ta dinë se të shtënat me armë janë në kundërshtim me Ligjin për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike dhe se gjoba për këtë lloj kundërvajtjeje sipas nenit 31 varion nga 100 deri në 250 euro në denarë. Gjithashtu, varësisht nga pasojat, të shtënat me armë mund të përbëjnë edhe vepër penale si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” për të cilin është paraparë dënim me burg prej një deri në pesë vjet.
Qytetarët duhet të festojnë në mënyrë dinjitoze dhe të mos përdorin armë në ahengjet e tyre sepse mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve. Përveç armëve, qytetarët nuk duhet të përdorin edhe mjete piroteknike në ahengje familjare sepse çdo shkëndijë piroteknike mund të shkaktoj zjarre të përmasave gjigante dhe të parikuperueshme në këto ditë të thata vere.
Policia nevojitet që të përforcojë aktivitetet kontrolluese të planit për zbulimin dhe sanksionimin e shkeljeve të tilla të rendit dhe qetësisë publike, duke mbajtur takime me grupe këshillimore të qytetarëve dhe komuniteteve lokale dhe urbane, takime me restorantet dhe hotelet ku mbahen dasmat sepse edhe ata kanë përgjegjësi ligjore nëse diçka ndodhë brenda objektit të tyre.
Qëllimi i të gjithëve është që të parandalojnë ngjarjet dhe pasojat e mundshme të padëshiruara në fushën e sigurisë, sepse dasma nga një aheng mun dtë kthehet në një fatkeqësi, shkruan “Zhurnal.mk”.
