Bashkëpunim i suksesshëm i Bankës Popullore dhe CEF me qëllim forcimin e aftësive për transferimin e njohurive ndërmjet bankave qendrore

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 13 tetor, Zhurnal.mk – Banka Popullore, në bashkëpunim me Qendrën për Ekselencë në Financa (CEF), organizuan një punëtori me temë: “Trajnim për trajnerë – ndërtimi i aftësive për mbështetjen e shkëmbimit të njohurive ndërmjet bankave qendrore”.

“Programet e trajnimit me cilësi të lartë dhe shkëmbimi institucional i njohurive janë motorët bazë të zhvillimit organizativ. Përmes kultivimit të kulturës së të mësuarit të vazhdueshëm dhe shkëmbimit ndërkufitar të njohurive, mund të promovojmë praktikat më të mira dhe të ndërtojmë partneritete institucionale të qëndrueshme”, theksoi zv/guvernatorja Arlinda Hasani Sinani, e cila i përshëndeti pjesëmarrësit e punëtorisë ku morën pjesë përfaqësues nga Banka Popullore dhe nga bankat qendrore e institucionet financiare të rajonit. Pjesëmarrësit patën mundësi të debatojnë mbi tema me interes të përbashkët, duke përfshirë parimet bashkëkohore të të mësuarit, dëgjimin aktiv, përdorimin efektiv të tregimit të historive dhe aplikimin e qëllimshëm të zërit, gjuhës së trupit dhe hapësirës.

“Bankat qendrore dhe institucionet financiare janë organizata të udhëhequra nga njohuria. Çdo ditë analizojmë lëvizjet ekonomike, ndjekim trendet inflacioniste, efektet e politikave makroprudente dhe ndryshimet rregullatore. Megjithatë, posedimi i njohurive thelbësore është vetëm një pjesë e detyrës, po aq e rëndësishme është edhe aftësia që atë ekspertizë ta përcjellim qartë dhe efektivisht, si brenda institucioneve, ashtu edhe para publikut”, theksoi Hasani Sinani, duke shprehur mirënjohje ndaj Qendrës për Ekselencë në Financa (CEF) për bashkëpunimin e suksesshëm shumëvjeçar, i cili e konfirmon përkushtimin e përbashkët për forcimin e kapaciteteve në të gjithë rajonin. Ajo theksoi se bashkëpunimi ka rol kyç në forcimin e lidhjes institucionale ndërmjet vendeve të rajonit me qëllim zgjidhje më efikase për sfidat e përbashkëta.

Nga CEF theksuan se banka jonë qendrore është shembull i shkëlqyer për shumë institucione në rajon, për mënyrën se si duhet të funksionojë një qendër e vërtetë e njohurive. U theksua se Banka Popullore vazhdimisht investon në ndërtimin e kapitalit njerëzor me cilësi të lartë, si dhe në përmirësimin e njohurive dhe aftësive të të punësuarve, gjë që është parakusht për rritjen e institucioneve dhe të vendeve në mënyrë të qëndrueshme, të mençur dhe gjithëpërfshirëse.

CEF është institucion edukativ për trajnime nga fusha e financave publike në Evropën Juglindore dhe është një nga partnerët kryesorë të Bankës Popullore në shkëmbimin e njohurive dhe përvojës profesionale gjatë viteve të fundit. Banka Popullore do të vazhdojë ta zhvillojë bashkëpunimin me CEF dhe me institucionet e tjera ndërkombëtare e organizata që mundësojnë platformë për shkëmbim të përvojave dhe njohurive ndërmjet bankave qendrore dhe institucioneve financiare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër