Athinë, 4 gusht Zhurnal.mk – Sharif Ahmadzai, një 26-vjeçar afgan dhe kampion boksi në Greqi, akuzohet për vrasjen e 38-vjeçares britanike Elisabeth-Jane Ross në Athinë. Pas krimit, ai dyshohet se tentoi të çorientonte autoritetet duke u paraqitur si një xhihadist dhe duke pretenduar se gruaja ishte vrarë për shkak të besimit të saj të krishterë.
Dokumentet hetimore dhe raportimet e mediave greke bëjnë të ditur se viktima, një shtetase britanike nga Skocia, u vendos në një valixhe dhe u la në një ndërtesë të braktisur në zonën e Kypselit.
Pas vrasjes, sipas dyshimeve të hetuesve, Ahmadzai përdori telefonin e Elisabeth-Jane Ross për të komunikuar me familjarët dhe miqtë e saj nëpërmjet mesazheve. Më pas, pajisja u fik.
26-vjeçari dyshohet se bleu më vonë një telefon tjetër, nga i cili kontaktoi disa persona, përfshirë edhe bashkëshorten e tij, duke u prezantuar si një xhihadist anonim. Në këto komunikime thuhej se 38-vjeçarja ishte vrarë pasi po përpiqej të përhapte fenë e krishterë.
Autoritetet greke e konsiderojnë këtë veprim si një tentativë për ta drejtuar hetimin në një pistë të rreme dhe për të fshehur identitetin e autorit të krimit.
