Shkup, 5 gusht, Zhurnal.mk – Barazia në arsim është një nga kushtet themelore për zhvillimin e një shoqërie funksionale dhe demokratike. Nëse fëmijët nuk rriten në kushte të barabarta, atëherë edhe mundësitë e tyre për të konkurruar, për të ndërtuar karrierë dhe për të qenë qytetarë aktivë, deformohen që në fillim. Shkolla është institucioni ku formohet njeriu, ku ndërtohen aftësitë, ku krijohet vetëbesimi dhe ku hapen horizontet. Prandaj, çdo pabarazi në kushte, investime, infrastrukturë apo qasje institucionale, është një pabarazi që më vonë shndërrohet në hendek social, shkruan Zhurnal.
Shkollat të janë vende emancipimi nuk duhet shndërruar vende diskriminimi
Prej vitesh, në Maqedoninë e Veriut, është vërejtur një dallim i dukshëm mes shkollave ku mësojnë nxënës maqedonas dhe atyre ku mësojnë nxënës shqiptarë. Shpeshherë kemi parë shkolla shqipe të amortizuara, me mungesë investimesh, me kushte të vështira higjieno sanitare, me oborre të dëmtuara, me fasada të rrënuara, me mungesë laboratorësh dhe me pajisje të vjetruara.
Ndërkohë, në të njëjtën kohë, shkollat maqedonase në shumë komuna urbane po vendosin panele diellore, po rinovojnë fasada, po instalojnë sisteme moderne energjetike dhe po krijojnë kushte të avancuara për mësimdhënie.
Çfarë faji kanë nxënësit që për shkak të përkatësisë së tyre etnike u bëhet padrejtësi në procesin e arsimimit? Dhe, a mund të flasim për barazi në arsim kur vetë institucionet prodhojnë pabarazi?
Në çfarë gjendje janë shkollat maqedonase?
Shembulli i fundit vjen nga Komuna e Gjorçe Petrovit, e cila ka nisur projektin për instalimin e sistemeve fotovoltaike në të gjitha shkollat fillore komunale. Shtatë shkolla do të pajisen me panele diellore, duke prodhuar energji të pastër, duke rritur efikasitetin energjetik dhe duke krijuar të ardhura të reja për investime të mëtejshme.
Ky është projekti i parë i këtij lloji në Maqedoninë e Veriut, i realizuar përmes partneritetit publik‑privat. Komuna nuk ka barrë financiare shtesë, ndërsa përfiton 18% të të ardhurave nga energjia e prodhuar. Përveç kursimeve, shkollat përfitojnë kushte moderne, stabilitet energjetik dhe një qasje të qartë drejt standardeve evropiane të zhvillimit të qëndrueshëm.
Ky investim tregon se kur ka vullnet politik dhe menaxhim të mirë, shkollat mund të transformohen në institucione moderne, të sigurta dhe të pajisura me teknologji bashkëkohore.
Por mangësia është se ky standard nuk është i njëjtë për të gjithë.
Po shkollat shqipe në çfarë gjendje janë?
Edhe pse kohëve të fundit ka pasur përmirësime në disa komuna shqiptare, realiteti mbetet i pabarabartë. Në shumë qytete dhe zona rurale, shkollat shqipe vazhdojnë të jenë në kushte mizore mure të plasaritura, dritare të thyera, ngrohje të pamjaftueshme, mungesë laboratorësh, mungesë pajisjesh digjitale, oborre të amortizuara dhe mungesë investimesh kapitale.
Nëse një fëmijë shqiptar mëson në kushte të vështira, ndërsa një fëmijë maqedonas mëson në një shkollë moderne me panele diellore, atëherë pabarazia nuk është vetëm infrastrukturore, por edhe shoqërore. Kjo pabarazi prodhon dy realitete arsimore brenda të njëjtit shtet. Dhe kur fëmijët rriten në dy realitete të ndryshme, edhe shoqëria rritet e ndarë.
Kujtojmë që, arsimi është themeli i një shoqërie të drejtë. Nëse ky themel është i pabarabartë, atëherë edhe e ardhmja e fëmijëve është e pabarabartë. Investimet selektive në arsim krijojnë hendek mes komuniteteve, prodhojnë padrejtësi dhe dëmtojnë kohezionin shoqëror. Nxënësit nuk kanë faj për përkatësinë e tyre etnike. Ata meritojnë kushte të barabarta, qasje të barabartë, mundësi të barabarta.
Dhe derisa shkollat shqipe të mos kenë të njëjtat standarde si shkollat maqedonase, nuk mund të flasim për barazi reale në arsim. Barazia në arsim nuk është vetëm çështje infrastrukture është çështje drejtësie, dinjiteti dhe të ardhmeje, por natyrisht që duhet filluar edhe nga infrastruktura. /Zhurnal.mk
