Rama: Avioni i parë zjarrfikës nis operacionet, forcë e shtuar për përballimin e zjarreve

Nga D. V.
722 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 5 gusht, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje nga operacionet për shuarjen e zjarreve në vend, duke vlerësuar angazhimin e forcave në terren dhe nisjen e aktivitetit të avionit të parë zjarrfikës.

Rama u shpreh se avioni i parë zjarrfikës ka nisur aktivitetin si forcë e shtuar për përballimin e situatës gjatë muajit gusht, duke theksuar se vendi është më i përgatitur për përballimin e rrezikut nga zjarret.

“Avioni i parë zjarrfikës ka nisur aktivitetin si forcë e shtuar e këtij gushti sfidues, i cili na gjen më të fortë e të përgatitur se asnjëherë më parë por edhe plotësisht të vetëdijshëm, për largqoftë rrezikun e përshkallëzimeve ekstreme të zjarreve përtej fuqive tona, siç po ndodh në disa vende të mëdha të Europës aktualisht”, deklaroi Rama.

Kryeministri shprehu gjithashtu respekt dhe mirënjohje për të gjitha forcat e angazhuara në terren për përballimin e situatës.

Sipas Agjencisë për Media dhe Informim, gjatë 12 orëve të fundit janë raportuar 14 vatra zjarri, nga të cilat 5 vijojnë të jenë aktive.

Operacionet për izolimin dhe shuarjen e tyre po zhvillohen me angazhimin e 182 forcave operacionale, 19 automjeteve zjarrfikëse, 3 helikopterëve dhe 1 avioni të Forcës Ajrore.

Ndërhyrjet janë përqendruar në zonën e Dajtit, në fshatin Riban të Mallakastrës, Shqiponjë të Prrenjasit, Vërzhezhë të Skraparit, Krekëz në Himarë, si dhe në zonën malore ndërmjet Stegopullit dhe Selckës, në bashkitë Libohovë dhe Dropull.

Strukturat e mbrojtjes civile vijojnë monitorimin dhe koordinimin e operacioneve për izolimin dhe shuarjen e vatrave aktive.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër