Tiranë, 6 gusht, Zhurnal.mk – Sistemi Kombëtar i Adresave (RKA) është regjistri unik dhe i standardizuar që garanton identifikimin e saktë të rrugëve, ndërtesave dhe njësive administrative në të gjithë vendin.
Përgjegjësja e IT në drejtorinë TIK të ministrisë së Brendshme dhe AKSHI-t, Tergita Gusta, bëri të ditur se falë të dhënave të përditësuara dhe integrimit me sistemet shtetërore, Regjistri Kombëtar i Adresave kontribuon në përmirësimin e administrimit të territorit dhe planifikimit të qëndrueshëm.
Sipas saj, qytetarët mund të përfitojnë nga shërbimi elektronik “Saktësimi i Adresës”, i cili ofrohet në portalin e-Albania, duke u mundësuar aplikimin online për përditësimin e të dhënave të adresës në mënyrë të thjeshtë, të shpejtë dhe të sigurt, pa pasur nevojë të paraqiten fizikisht pranë sporteleve të administratës.
Digjitalizimi i këtij procesi synon të rrisë saktësinë e të dhënave, të lehtësojë administrimin e adresave dhe t’u kursejë qytetarëve kohë në marrjen e shërbimeve publike.
