Smart prezanton modelin e ri elektrik me dy vende, duke iu kthyer konceptit fillestar

Nga Xh M
591 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Smart ka zbuluar pamjet e para të Smart #2, modelit të ri plotësisht elektrik me dy ulëse, përmes të cilit marka rikthehet te filozofia e makinave të vogla të projektuara për përdorim urban.

I konsideruar pasardhësi shpirtëror i modelit legjendar Fortwo, Smart #2 është konceptuar posaçërisht për qarkullimin në qytet. Me një gjatësi prej vetëm rreth 2.79 metrash, automjeti ruan përmasat kompakte karakteristike të markës dhe pritet të renditet ndër makinat elektrike më të vogla në treg.

Në fotografitë e publikuara, modeli shfaqet ende i kamufluar teksa po kryen testimet e fundit përpara prezantimit zyrtar. Sipas njoftimit të Smart, premiera botërore pritet të mbahet në Sallonin e Automobilave në Paris, ndërsa automjeti do të ofrohet në treg vetëm me sistem elektrik.

Për ndërtimin e Smart #2 do të përdoret platforma Electric Compact Architecture (ECA), një arkitekturë elektrike e krijuar posaçërisht për automjete me përmasa shumë të vogla. Konfigurimi do të vazhdojë të përfshijë dy dyer dhe dy vende, ndërsa pozicionimi i rrotave pranë skajeve të karrocerisë do të mundësojë manovrim më të lehtë në hapësirat e ngushta të qytetit.

Të dhënat paraprake tregojnë se Smart #2 synon të ofrojë autonomi deri në rreth 300 kilometra. Modeli do të pajiset gjithashtu me teknologji bashkëkohore, masa të përmirësuara sigurie dhe një kabinë të ridizajnuar. Ekipi i Mercedes-Benz është kujdesur për projektimin e hapësirës së brendshme, duke ndërthurur funksionalitetin me elemente moderne.

Pas disa vitesh përqendrimi te automjetet më të mëdha, përfshirë SUV-të elektrikë, Smart kërkon që me këtë model t’i rikthehet identitetit të saj fillestar: një makinë e vogël, ekonomike dhe e përshtatshme për qytet.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër