Norvegjia e ka përqindjen më të lartë të veturave elektrike në botë, ku veturat elektrike përbëjnë rreth 97% të shitjeve të veturave të reja dhe rreth një të tretën e të gjithë flotës së veturave në qarkullim. Në vendet nordike, në gusht gati 70% e veturave të reja ishin elektrike, ndërsa në BE kjo përqindje arriti në 27,7%. Në Maqedoninë e Veriut, megjithatë, veturat elektrike përbëjnë vetëm 0,33% të parkut të automjeteve. Rritje ka edhe në Shqipëri ndërsa në Kosovë deri në fund të vitit 2025 kishte mbi një mijë vetura elektrike.
Të dhënat të cilat i analizoi Portalbi tregojnë dallim të madh mes ritmit të elektrifikimit në vendet nordike dhe BE-së dhe atij në vendet e rajonit.
Në Norvegji, në gusht u regjistruan 13.451 vetura të reja. Pjesa e veturave elektrike arriti rekord prej 98,7%, nga 96,9% në gusht të vitit të kaluar.
Tregu nordik i veturave të reja u rrit me gjithsej 12,2% në gusht, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në Norvegji, Suedi, Danimarkë dhe Finlandë u regjistruan gjithsej 58.414 vetura të reja. Pothuajse 70% e tyre ishin elektrike.
Norvegjia vendosi rekord të ri mujor me 98,7% të veturave të reja elektrike, ndërsa Danimarka arriti rekord prej 85,9%.
Në Finlandë, 51,6% e veturave të reja ishin elektrike, ndërsa Suedia kishte një pjesë prej 45,5% të veturave elektrike.
Edhe pse veturat elektrike përbëjnë një pjesë gjithnjë e më të madhe të shitjeve të veturave të reja, dallimet janë ende të mëdha në parkun e përgjithshëm të veturave të pasagjerëve.
Në fund të gushtit, 34,94% e të gjitha veturave të pasagjerëve në Norvegji ishin elektrike. Në Danimarkë kjo pjesë ishte 23,5% në Suedi 9,63% dhe në Finlandë 7,34%.
Regjistrimet e veturave të reja elektrike u rritën ndjeshëm gjatë muajit gusht edhe në Bashkimin Evropian, në një kohë kur çmimet e karburanteve po rriten dhe pasiguria globale shtohet.
Sipas Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Automjeteve (ACEA), regjistrimet e veturave elektrike me bateri u rritën me 62,7% krahasuar me një vit më parë.
Veturat elektrike në të gjitha regjistrimet e reja të veturave në BE u rritën nga 17,8 në 27,7% gjatë së njëjtës periudhë.
Në totalin për këtë vit deri më tani, veturat elektrike me bateri dhe veturat me benzinë secila përbëjnë nga 21,7% të regjistrimeve.
Grupet e veturave në pronësi kineze po rrisin pjesën e tyre në tregun e BE-së, ndërsa prodhuesit evropianë përballen me konkurrencë të fortë, tarifa amerikane dhe kostot e kalimit drejt veturave elektrike.
Ndonëse kandidate për në Bashkimin Evropian, Maqedonia e Veriut është larg statistikave evropiane dhe atyre nordike sa i takon veturave elektrike.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, veturat elektrike janë rritur 30-fish gjatë dhjetë viteve, por në vitin 2025 përbënin vetëm 0,33% të të gjitha automjeteve, me gjithsej 2.047 makina elektrike.
Edhe makinat hibride kanë shënuar rritje të madhe. Numri i tyre është rritur nga 1.287 në vitin 2023, në 5.078 në vitin 2024 dhe 7.393 në vitin 2025, duke arritur rreth 1,2% të parkut të automjeteve.
Nëpër rrugët e vendit vazhdojnë të dominojnë automjetet me dizel ndërsa makinat me benzinë janë në rënie.
