BDI kërkon hetim për dyshimet për vjedhje në NPK Saraj

Nga D. V.
436 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 gusht, Zhurnal.mk – BDI në Saraj ka kërkuar transparencë nga drejtuesit e Komunës dhe Ndërrmarjes Publike Komunale Saraj, lidhur me pretendimet për vjedhjen e mjeteve financiare nga ndërmarrja publike. Zëdhënësi i degës, Fevzi Ebipi, kërkoi hetim të plotë dhe përgjegjësi institucionale nëse konstatohen lëshime në sigurinë dhe menaxhimin e fondeve publike. Ai pyet se a kanë qenë funksionale kamerat e sigurisë dhe sistemi i kontrollit të hyrje-daljeve në objekt në momentin kur pretendohet se ka ndodhur ngjarja? Duke shtuar se pse nuk kanë qenë në krye të detyrës rojet e sigurimit dhe kush mban përgjegjësi për këtë lëshim?

“Sa është shuma e mjeteve financiare që pretendohet se është marrë dhe në çfarë baze juridike ato mjete janë mbajtur në zyrën e drejtorit? A është e vërtetë se në NPK Saraj janë mbajtur mjete financiare mbi kufirin maksimal të lejuar të arkës, në kundërshtim me nenin 183 të Ligjit për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemet e Pagesave? Si është e mundur që një institucion publik të ketë një sistem kaq të dobët sigurie, duke lejuar që të vihet në rrezik pasuria publike?”, u shpreh Fefzi Ebipi, zëdhënës i Degës së BDI-së në Saraj.

Komunikata e plotë:
Dje opinioni publik u njoftua me një ngjarje jashtëzakonisht shqetësuese që pretendohet të ketë ndodhur në Ndërmarrjen Publike Komunale “NPK Saraj”, përkatësisht me pretendimin për vjedhjen e mjeteve financiare nga qarkullimi ditor i ndërmarrjes, e cila, sipas njoftimit të udhëheqësisë së NPK-së, dyshohet se ka ndodhur gjatë vikendit të zgjatur, në zyrën e drejtorit.

Nëse këto pretendime rezultojnë të sakta, atëherë bëhet fjalë për një nga skandalet më të rënda institucionale që ka njohur ndonjëherë Komuna e Sarajit. Një ngjarje e tillë cenon seriozisht kredibilitetin e institucionit, sigurinë e pasurisë publike dhe besimin e qytetarëve ndaj komunës dhe institucioneve të saj.

Edhe më shqetësuese është heshtja e kryetarit të Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi. Përballë një ngjarjeje të këtij dimensioni, qytetarët presin përgjegjësi, transparencë dhe sqarime, e jo heshtje.

Prandaj, publikisht kërkojmë përgjigje të qarta për këto pyetje:

– A kanë qenë funksionale kamerat e sigurisë dhe sistemi i kontrollit të hyrje-daljeve në objekt në momentin kur pretendohet se ka ndodhur ngjarja?
– Pse nuk kanë qenë në krye të detyrës rojet e sigurimit dhe kush mban përgjegjësi për këtë lëshim?
– Sa është shuma e mjeteve financiare që pretendohet se është marrë dhe në çfarë baze juridike ato mjete janë mbajtur në zyrën e drejtorit?
– A është e vërtetë se në NPK Saraj janë mbajtur mjete financiare mbi kufirin maksimal të lejuar të arkës, në kundërshtim me nenin 183 të Ligjit për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemet e Pagesave?
– Si është e mundur që një institucion publik të ketë një sistem kaq të dobët sigurie, duke lejuar që të vihet në rrezik pasuria publike?
– Pse ende nuk ka asnjë prononcim nga kryetari i Komunës së Sarajit, i cili mban përgjegjësinë më të lartë politike për funksionimin, sigurinë dhe menaxhimin e institucionit?

Këto nuk janë pyetje politike. Këto janë pyetje legjitime të qytetarëve të Sarajit, sepse bëhet fjalë për mjete financiare publike dhe për një institucion që financohet nga taksat e tyre.

Për këtë arsye, kërkojmë që udhëheqësia e Komunës së Sarajit dhe drejtuesit e NPK-së të dalin sa më parë para opinionit me një informim të plotë, transparent dhe të argumentuar, duke sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti.

Njëkohësisht, nëse konfirmohet se ka pasur dështim në organizimin e sistemit të sigurisë, kontrollit dhe mbrojtjes së pasurisë publike, kërkojmë përgjegjësi politike nga kryetari i Komunës së Sarajit dhe drejtori i NPK-së, pasi përgjegjësia nuk mund të përfundojë vetëm te autorët e mundshëm të veprës, por edhe te ata që kishin për detyrë të parandalonin një situatë të tillë.

Nga ana tjetër, u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve kompetente, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë Publike, që ta hetojnë këtë rast në mënyrë të plotë, të paanshme dhe transparente, të identifikojnë autorët dhe të verifikojnë nëse, përveç veprës së vjedhjes, ekzistojnë elemente të veprave të tjera penale, përfshirë “Keqpërdorimin e pozitës dhe autorizimit zyrtar” apo vepra të tjera që mund të kenë ndikuar në këtë ngjarje.

Qytetarët e Sarajit nuk meritojnë heshtje. Ata meritojnë të vërtetën, transparencën dhe përgjegjësi. Askush nuk mund të fshihet pas funksionit kur vihet në pikëpyetje siguria e mjeteve publike dhe besimi i qytetarëve në institucionet e tyre.

Ju faleminderit!

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër