Mbrojtja e punëtorëve duhet të vihet në plan të parë

Nga Xh M
976 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 8 gusht Zhurnal.mk – Vala e të nxehtit po krijon vështirësi të mëdha për personat që punojnë në hapësira të jashtme. Ekspozimi ndaj diellit dhe temperaturave të larta shton rreziqet shëndetësore, sidomos për punëtorët në ndërtim, bujqësi dhe sektorë të tjerë ku aktiviteti zhvillohet në ambiente të hapura.

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë u ka kërkuar punëdhënësve që të zbatojnë masat e parashikuara për mbrojtjen e punëtorëve gjatë vapës ekstreme. Nga LSM-ja bëjnë thirrje që, përballë temperaturave të larta të paralajmëruara, të respektohen rregullat për sigurinë dhe shëndetin në punë, ndërsa angazhimi në ambiente të hapura të reduktohet ose të ndërpritet në orët më të nxehta të ditës. Sindikata kërkon gjithashtu sigurimin e të gjitha mjeteve dhe masave të nevojshme për ruajtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve në këto kushte. LSM-ja rikujton se duhet të zbatohen masat e kujdesit dhe të mbrojtjes gjatë temperaturave të larta të ambientit, për të cilat Instituti i Shëndetit Publik tashmë ka publikuar rekomandime.

Liridon Xhemaili, avokat dhe njohës i sektorit të ndërtimit, vlerëson se periudha e verës, megjithëse është më intensive për realizimin e punimeve ndërtimore, kërkon masa të shtuara për sigurinë e punëtorëve për shkak të temperaturave të larta.

Sipas Xhemailit, aktiviteti në ndërtim intensifikohet në periudhën kur kushtet atmosferike janë më të përshtatshme, por vapa imponon kujdes më të madh ndaj personave që punojnë jashtë, veçanërisht ndaj atyre që kanë probleme shëndetësore. Ai theksoi se çdo kompani serioze duhet t’i marrë parasysh këto rrethana dhe t’i zbatojë rekomandimet për mbrojtjen e punëtorëve.

Edhe Instituti i Shëndetit Publik, për shkak të temperaturave të larta, u ka bërë thirrje qytetarëve që të ndërmarrin masa mbrojtëse ndaj valës së të nxehtit. Periudha me rrezikun më të lartë nga qëndrimi në diell dhe ekspozimi ndaj temperaturave të larta është nga ora 11:00 deri në 17:00.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër