Nëntë muaj pas propozimit të ri, ligji nuk po miratohet: Presidentja fal, rregullat e reja presin

Nga Xh M
1,290 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 gusht Zhurnal.mk – Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, së fundmi, më 2 Gusht – Ilinden, fali 25 persona të dënuar, por edhe këtë vit kjo u bë mbi bazën e dispozitave ligjore të përcaktuara që në vitin 1993. Zgjidhjet e reja ligjore për faljen e personave të dënuar, edhe pse u propozuan në dhjetor të vitit të kaluar, ende presin në sirtarët e Ministrisë së Drejtësisë për të arritur një dakordim rreth ndryshimeve që duhet të sjellin. Në shkurt u mbajt edhe një debat publik për zgjidhjet e propozuara, por as ai nuk arriti t’i harmonizojë qëndrimet.

– Qëllimi i ligjit të ri për faljen është tejkalimi i dobësive në zbatimin e ligjit aktual dhe vendosja e një procedure të qartë, të saktë dhe transparente. Me ligjin rregullohen nocioni dhe llojet e faljes, efekti i faljes, personat e autorizuar për të paraqitur kërkesë, si dhe procedura dhe kompetencat e institucioneve. Risitë kryesore janë përcaktimi se presidenti mund të falë ekskluzivisht nga një dënim i shqiptuar dhe jo edhe nga ndjekja penale (abrogimi i ndjekjes – amnistimi/abolimi). Parashikohen afate të shkurtra dhe të qarta për veprimin e të gjitha institucioneve të përfshira në proces. Ministria e Drejtësisë i dorëzon presidentit një raport pa dhënë propozim konkret për faljen – njoftoi Ministria e Drejtësisë me rastin e publikimit të propozimit të zgjidhjes së re ligjore para nëntë muajsh.

Sipas informacioneve, në Ministrinë e Drejtësisë ende vazhdon harmonizimi i komenteve lidhur me ndryshimet e propozuara, pas së cilës zgjidhja ligjore do t’i dorëzohet Qeverisë për procedurë të mëtejshme.

Debati publik i shkurtit në Fakultetin Juridik të Shkupit pranë UKIM-it, ku mori pjesë edhe presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, tregoi se dilemat më të mëdha lidhen me pyetjen nëse vetëm presidentja dhe Komisioni i saj për Falje duhet të jenë ekskluzivisht kompetentë për vendimin lidhur me faljen e personave të dënuar që e kërkojnë atë.

Ndryshe nga zgjidhja ende në fuqi, në të ardhmen Ministria e Drejtësisë do t’i dorëzonte kreut të shtetit vetëm raporte për personat që kërkojnë falje, pa dhënë një propozim konkret nëse kërkesa për falje e të burgosurve të caktuar duhet të pranohet apo jo.

Siljanovska-Davkova, gjatë debatit të atëhershëm, tha se zgjidhja e re ligjore e parashikuar e vendos Komisionin presidencial në rolin e një hetuesi.

– Dilema ime lidhet me rolin e deritanishëm dhe atë të ardhshëm të Ministrisë së Drejtësisë. Në ligjin aktual, Ministria e Drejtësisë ka rol dhe procedurë të përcaktuar. Në këtë rast, ne marrim një propozim nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa tani, nëse e lexoj mirë tekstin, nuk do të ketë më një detyrim të tillë. A është kjo një shmangie nga përgjegjësia? Mendoj se është më mirë të marrim edhe një mendim nga Ministria e Drejtësisë. Anëtarët e Komisionit nuk mund të kenë kompetenca hetimore, të kontaktojnë agjenci të ndryshme; kjo nuk funksionon, është një ndërhyrje. Koncepti me Ministrinë e Drejtësisë dhe burgjet është më logjik sesa ai me Komisionin – tha atëherë presidentja, duke shtuar se në punën e deritanishme ajo rregullisht i kishte pranuar vendimet e Komisionit të saj.

Edhe ekspertët e tjerë theksuan se Komisioni për Falje në kuadër të Kabinetit të Presidentes nuk mund të vendoset në rolin e hetuesit për persona të caktuar që kërkojnë falje.

Ndërkohë, ekspertët i japin mbështetje të plotë zgjidhjes së re, sipas së cilës falja mund të jepet vetëm pas një aktgjykimi gjyqësor të formës së prerë, përkatësisht të mos jetë e mundur dhënia e abolimit gjatë zhvillimit të procedurës penale.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër