Arsovski: Maqedonia po hyn në fazën e “hiperpolitikës”, ndërsa qytetarët po mësohen me dështimin e institucioneve

Nga Xh M
802 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 gusht Zhurnal.mk – Analisti politik Petar Arsovski vlerëson se shoqëria në Maqedoninë e Veriut nuk karakterizohet më vetëm nga polarizimi politik, por po hyn në një fazë të ashtuquajtur të “hiperpolitikës”, ku vëmendja zhvendoset nga politikat konkrete te kalkulimet dhe strategjitë partiake.

Në një intervistë për Sloboden Peçat, Arsovski shpjegon se ky fenomen, i njohur në shkencat politike si “meta-fushatë”, bën që publiku dhe mediat të analizojnë më shumë qëllimet strategjike të partive sesa përmbajtjen dhe efektet reale të politikave mbi jetën e qytetarëve.

“Sot nuk analizohen më mesazhet politike, por synimet që fshihen pas tyre, strategjitë e selive partiake dhe ndikimi që ato mund të kenë në opinionin publik”, thekson ai.

Arsovski ngre shqetësimin se vendi po përballet me një normalizim të funksionimit të dobët të institucioneve dhe me një rënie graduale të cilësisë së jetës. Sipas tij, qytetarët po mësohen me mungesën e shërbimeve bazë, ndërsa procesi i integrimit evropian mbetet i bllokuar.

“Po mësohemi ngadalë me probleme që nuk duhet të ishin normale – mungesën e ujit, vështirësitë në menaxhimin e mbeturinave, qasjen e kufizuar në shërbimet shëndetësore dhe pasiguritë për pensionet. Ky proces zhvillohet gradualisht, por mund të ketë pasoja serioze,” deklaron ai.

Sipas Arsovskit, këto zhvillime nuk sjellin menjëherë ndryshime politike, pasi qytetarët priren të mbeten besnikë ndaj bindjeve të tyre. Megjithatë, ai paralajmëron se në momentin kur krijohet bindja se është në rrezik jo vetëm mirëqenia individuale, por edhe e ardhmja e shtetit, mund të ndodhin ndryshime të thella në skenën politike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër